
Stop trukimeve në futbollin shqiptar. Me këtë projekt-ide ka ardhur përfaqësuesi i UEFA-s, Pier Korny, i cili nuk është mjaftuar vetëm me takime me krerët e Federatës Shqiptare të Futbollit, por dje ka zhvilluar edhe një takim në Prokurorinë e Përgjithshme. Përfaqësuesi i UEFA-s është pritur nga drejtori i Drejtorisë së Hetimit, Sokol Stojani, shefi i Prokurorisë së Apelit, Tiranë dhe njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, si dhe sekretari i Përgjithshëm në Prokurorinë e Përgjithshme, Pandi Madhi. Në këtë takim, sipas informacioneve të marra jo vetëm nga zyra e shtypit e Prokurorisë, por edhe nga deklarata e z.Hajdari dhënë “Panorama Sport”, është diskutuar rreth shqetësimeve dhe dyshimeve për mundësitë e trukimit të ndeshjeve, si dhe vendosjen e kontakteve të bashkëpunimit në këtë drejtim mes të gjitha institucioneve europiane dhe shqiptare. Korny informoi se UEFA ka vendosur një sistem për deduktimin e të dhënave nga vende të ndryshme mbi rezultatet e ndeshjeve, çka përbën një fillim mbi të cilin mund të hetohet mbi mundësitë e ndeshjeve me rezultat të fiksuar. Përfaqësuesi i UEFA-s kërkoi mbështetjen e Prokurorisë, si dhe përfshirjen e strukturave të tjera shtetërore, për ta vlerësuar seriozisht këtë shqetësim.











