Udhëzimi i MASH, nxënësit në gjimnaz sipas adresave

Aug 5, 2011 | 11:48

Shpërndarja e nxënësve në gjimnaze do të ketë rregulla të forta për vitin e ri shkollor. Nuk do të tolerohen më regjistrime në shkolla sipas preferencave, por vetëm sipas vendbanimeve. Tolerancë do të ketë vetëm për raste shumë të veçanta të nxënësve të shkëlqyer. Gjithçka e bën me dije Ministria e Arsimit. Sipas këtij dikasteri, dyndja në gjimnazet më të njohura, sidomos në Tiranë, ka bërë që në to të ketë mbingarkesë tepër të madhe. Në to mësimi zhvillohet me turne dhe nxënësve u duhet të qëndrojnë në shkollë të paktën deri në orën 20:00. Nga ana tjetër, në shkolla të tjera klasat janë të boshatisura, çka ka bërë që të mos arrihet një shpërndarje e mirë e nxënësve. Sipas drejtorit të Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, në kryeqytet rregullat do të jenë të forta. “Përgjithësisht nxënësit kanë prirje për t’u regjistruar në 4-5 gjimnazet më në zë të Tiranës. Por, kapaciteti i shkollave “Ismail Qemali”, “Sami Frashëri”, “Qemal Stafa”, “Petro Nini” është i limituar, nuk është pa kufi”, tha Vejsiu. Sipas tij, mësuesit mund të jenë më të mirë edhe në shkolla të tjera. Këtë vit, me urdhër të ministrit, është ngritur një grup pune për të parë se si është operuar vitet e kaluara. “Sepse kemi raste të shkollave që nuk i shfrytëzojnë kapacitetet dhe raste të shkollave që i mbikalojnë ato. Kemi mendimin që të lëmë një përqindje tolerimi 3-4, maksimumi 5%. Janë 23 klasa nëpër gjimnazet e Tiranës që rrinë bosh, të pashfrytëzuara, as turn i parë, as i dytë”, theksoi drejtori i Arsimit Parauniversitar. Ai tërhoqi vëmendjen për datat e regjistrimit, në veçanti për ata që do të ulen për herë të parë në gjimnaze. “Nuk mjafton vetëm regjistrimi i emrit në një shkollë të caktuar, por duhet të plotësojnë një formular që shkolla të marrë masa për përgatitjen, ndarjen e klasave, ofertat që i jepen, për interesat që kanë fëmijët, kështu që domosdoshmërisht periudha e regjistrimit të gjimnazit fillon jo më vonë se 1 shtatori dhe mbaron më datë 9 shtator”, bëri me dije Vejsiu. Këtë vit, mësimi në sistemin parauniversitar është parashikuar të fillojë në datën 12 shtator. Drejtoria Arsimore e Tiranës ka ngritur disa herë shqetësimin për fluksin e madh në gjimnazet e mëdha të Tiranës. Këtë problem e kanë edhe vetë prindërit, të cilët shprehen se mësimi me turne nuk i shërben aspak mësimnxënies së mirë të fëmijëve të tyre.

Viti i ri shkollor, si ndahen semestrat

Viti i ri shkollor nis më 12 shtator si për shkollat 9-vjeçare, ashtu dhe për gjimnazet. Arsimi bazë ka 35 javë dhe do të përfundojë në datën 6 qershor. Provimet e Lirimit do të jenë në periudhën 7 dhe 22 qershor. Do të kenë dy periudha pushimi, jo tri, një në pushimet e Vitit të Ri, rreth 2 javë, dhe një në fund të marsit. Ndërsa, përsa i përket arsimit të mesëm, ky i reformuari është vetëm me një vit shkollor pa semestra, fillon më 12 shtator dhe mbaron më 13 qershor të 2012-s. Ndërsa maturantët kanë 2 javë më pak mësim. Ata kanë 5 javë provimet e maturës dhe do të përfundojnë në fund të qershorit. Semestri i parë për shkollat 9-vjeçare fillon më 12 shtator 2011 dhe mbaron më 27 janar 2012. Semestri i dytë fillon më 30 janar 2012 dhe mbaron më 6 qershor 2012. Periudha e parë, pushimet fillojnë më 24 dhjetor 2011 dhe mbarojnë më 4 janar 2012. Periudha e dytë, pushimet fillojnë më 28 mars 2012 dhe mbarojnë më 1 prill 2011. Provimet e Lirimit do të zhvillohen në periudhën 7 – 22 qershor 2012. Sa u përket gjimnazeve, mësimi fillon më 12 shtator 2011 dhe mbaron më 22 maj 2012. Periudha e parë e pushimeve fillon më 24 dhjetor 2011 dhe mbaron më 4 janar 2012. Periudha e dytë e pushimeve fillon më 28 mars 2012 dhe mbaron më 1 prill 2012. Provimet e maturës: 23 maj 2012 – 30 qershor 2012.

© Panorama.al

Te lidhura