Udhëheqësi i Koresë së Veriut zotohet për mbështetje të fortë për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës

Nov 30, 2024 | 17:05
SHPËRNDAJE

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un tha se vendi i tij do të “mbështesë përherë” luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, pas takimit që zhvilloi me ministrin rus të Mbrojtjes.

kim jong un

Një delegacion ushtarak rus i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes Andrei Belousov mbërriti në Korenë e Veriut të premten, mes shqetësimeve ndërkombëtare se dy vendet po zgjerojnë bashkëpunimin, i cili u thellua me dërgimin e mijëra trupave koreanoveriore në Rusi.

Agjencia zyrtare e lajmeve të Koresë së Veriut njoftoi se gjatë takimit të së premtes, udhëheqësi Kim dhe ministri Belousov kishin rënë dakord për forcimin e partneritetit strategjik dhe mbrojtjen e sovranitetit, interesave të sigurisë dhe drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa situata e sigurisë ndërkombëtare po ndryshon me shpejtësi.

Koreja e Veriut ka mbështetur sulmin në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës dhe ka kritikuar vendimin e Shteteve të Bashkuara, më herët në nëntor, për lejimin e përdorimit të raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina, për të goditur në thellësi të Rusisë, duke e cilësuar si një ndërhyrje në konflikt.

Udhëheqësi koreanoverior i cilësoi sulmet e fundit ruse në Ukrainë si “një masë efektive” që tregon vendosmërinë e Rusisë.

Sipas vlerësimeve të Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Koresë së Jugut, Pheniani ka dërguar mbi 10 mijë trupa në Rusi dhe një pjesë e tyre kanë filluar të luftojnë në vijën e frontit.

Uashingtoni, Seuli dhe aleatë të tjerë thonë se Koreja e Veriut ka dërguar sisteme artilerie, raketa dhe armë të tjera drejt Rusisë.

Moska dhe Pheniani nuk kanë konfirmuar zyrtarisht dislokimin e trupave koreanoveriore dhe kanë mohuar njoftimet për dërgimin e armëve./voa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura