“Babai u vra dhe më pas u varros”- Policia zbardh të vërtetën dhe dinamikën e krimit në familje: Tre fëmijët autorë të ngjarjes, në hetim edhe nëna e tyre (EMRAT)

Feb 23, 2024 | 18:11
SHPËRNDAJE

Policia e Durrësit ka zbardhur të gjithë dinamikën e krimit të rendë në familje, ku tre fëmijët vranë me armë zjarri babain e tyre, Pëllumb Meta dhe më pas e varrosën atë, me qëllim për të fshehur ngjarjen.

pellumb meta hygerta meta1

Në një deklaratë për mediat, Policia e Durrësit tha se në pranga janë vënë, tre fëmijët, Hysen Meta i cili dyshohet se ka qëlluar babain, vajzën Hygerta Meta dhe djali tjetër, Amarildo Meta, të tre autorë në bashkëpunim të krimit.

Ndërkohë në hetim në gjendje të lirë është edhe nëna e tyre, Blerina Meta.

Policia sqaroi gjithashtu se vrasja ka ndodhur në një prej dhomave të banesës dhe më pas trupi është transportuar dhe varrosur në një kasolle.

DINAMIKA 

“Më datën 13 shkurt 2024 Hysen Meta ka kallëzuar në polici se babai i tij ka humbur kontaktet me familjen që në datën 10 shkurt.

Me marrjen e kallëzimeve në datën 17 shkurt është gjetur mjeti që përdorte Meta.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor ku vijuan hetimet dhe kërkimet. U hodhën pistat e hetimit për të zbuluar motivin pse ishte zhdukur 50 vjecari.

Në datën 22 shkurt u arrit të konkludohej se nuk kishim të bënim me një zhdukje personi, por me një krim në familje.

22 shkurt u gjet trupi i viktimës, i cili ishte i varrosur në ambientet e brendshme të banesës së viktimës. U krye zhvarrimi i tij dhe pas ekspertizës rezultoi se ishte vrarë me armë zjarri.

Veprimet vazhduan me intensitet të lartë dhe nga provat e sigurura në të gjithë veprimet hetimore u arrit që të gjendeshin provat dhe të arrestoheshin në flagrancë  anëtarët e familjes: Hysen Meta  24 vjeç, Hygerta Meta 19 vjeçe, të dy fëmijë të viktimës që kanë qenë bashkëpunëtore. Ata akuzohen vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare.

Është arrestuar edhe djali tjetër Amarildo Meta, i cili ka ndihmuar si dhe hetohet në gjendje të lirë nëna e tre fëmijëve Blerina Meta 49 vjeçe për veprën penale veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

Rezultoi se vrasja ka ndodhur në ambientet e brendshme të banesës, në një prej dhomave. Më pas trupi është varrosur në kasollen që ndodhej afër. Gjatë këtyre veprimeve është gjetur edhe një predhe armë zjarri me të cilën është kryer krimi. Janë gjetur pjesë të tjera të armëve të zjarrit, është sekuestruar kallashnikov, tesha të tjera të cilat do ti nënshtrohen analizave.

Në tërësinë e hetimeve, u arrit që të gjendej edhe arma e krimit, pistoleta, në një zonë moçalore. Shtetasit e përfshirë në krim kanë deklaruar se motivi i vrasjes kanë qenë konfliktet familjare dhe nxitja prej babait që vajza të fejohej me një person pa dëshirën e saj. Materialet janë dërguar pranë Prokurorisë Durrës dhe vazhdojnë veprimet e tjera me qëllim që të përcaktojmë persona të tjerë nëse ka të përfshirë”, tha Skënder Hita, Drejtori i Policisë Durrës.

I pyetur për rolin që kishte vajza 19-vjeçare në këtë krim, drejtori i policisë tha: “Këto janë pjesë e hetimeve të mëvonshme, nuk mund të japë të gjitha informacionet për arsye të sekretit hetimor, por edhe 19 vjecarja ka qenë e përfshirë në këtë ngjarje. Arsyeja ka qenë që kjo dhe familjarët e tjerë kanë pasur konflikte”.

Ndërsa roli i djalit të vogël ka qenë fshehja e kufomës pas krimit.

Më herët gjatë ditës, vajza 19-vjeçare, Hygerta Meta kishte deklaruar se vrasjen e ka kryer ajo, por policia zbardhi se arma është shkrepur nga djali i madh, Hysen Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura