SARANDE – Banorët e fshatit Mursi në komunën e Xarrës mbajnë peng punonjësit e CEZ-it. Afro 300 banorë që jetojnë rreth 45 km larg qytetit të Sarandës, kanë protestuar mesditën e djeshme, duke bllokuar rrugën nacionale që të çon në Qafë-Botë. Shkaku ka qenë një veprim i ndërmarrë nga punonjës të CEZ të ardhur nga Tirana, që shkëputën energjinë elektrike tek disa familje të fshatit Mursi të cilët, sipas tyre, nuk kishin paguar energjinë përgjatë dy muajve të fundit. Kanë qenë gjithsej katër automjete që mbanin firmën e CEZ-it, të cilat kanë hyrë në fshat duke qëndruar aty për gati dy orë. Tetë punonjësit e CEZ-it që ishin pajisur me pinca dhe instrumente të tjera të nevojshme për heqjen e rrymës elektrike në disa familje, janë ndeshur me irritimin e banorëve të cilët kanë kërkuar rikthimin e saj në mënyrë të menjëhershme. Refuzimi i punonjësve të CEZ Shpërndarje hasi në një reagim mjaft të ashpër prej banorëve të Mursisë, të cilët u shumuan në numër përgjatë minutave të ardhshme, në mbështetje të bashkëfshatarëve të tyre, të cilët ngelën pa energji. Punonjësve të CEZ-it nuk u është lejuar dalja nga fshati duke u mbajtur peng dhe, për këtë, banorët e irrituar kanë bllokuar përkohësisht rrugën nacionale Sarandë-Qafë-Botë për rreth 2 orë. Është dashur ndërhyrja e Policisë së Sarandës, që situata të normalizohej dhe punonjësit e CEZ-it të liroheshin nga pengmarrja e 300 banorëve të Mursisë. Tok me banorët, u bashkua edhe kryetari i komunës së Xarrës, Dhimo Kote, i cili u shpreh se energjia elektrike do të paguhet kur fuqia të jetë brenda normave pra 200-220 volt dhe jo sa tani, ku nuk shkon më tepër se 90 volt. “Populli ka të drejtë. Asnjë pagesë nuk do të kryhet tek CEZ, nëse ky i fundit nuk përgjigjet për dëmet e shkaktuara në orenditë shtëpiake dhe në biznese si pasojë e mungesës së fuqisë së rrymës elektrike”, u shpreh ai. Situata pas dy orësh është normalizuar dhe banorët e Mursisë janë kthyer në shtëpitë e tyre, duke u larguar nga rruga, ndërsa kërkojnë vëmendjen e CZE, duke sjellë edhe tek ata një fuqi rryme 220 volt. sh.d
Tensioni i ulët dhe në Ksamil
E njëjta situatë prek dhe komunën turistike të Ksamilit, pasi e njëjta linjë furnizon pjesën fundore të Sarandës. Burime të CEZ-it thonë se kjo ndodh për shkak të rrjetit të amortizuar. Sipas tyre, nuk mund të realizohet tani një ndërhyrje, për shkak të sezonit turistik.











