
TIRANE – Një shtetas, i cili ka për të kryer vetëm katër ditë burg, është arrestuar nga policia e Tiranës dy ditë më parë, me qëllim ekzekutimin e vendimit të dhënë nga gjykata ndaj tij. Drejtoria e Policisë së Tiranës pohoi dje se nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik Financiar u krye ekzekutimi i urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtetasin Fatmir Sabaudin Çupi, 34 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Sipas Policisë, në ngarkim të tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e formës së prerë të datës 31.01.2011, e ka dënuar shtetasin Fatmir Çupi me 22 muaj burgim për veprën penale të “tregtimit të mallrave që janë kontrabandë”. Vendimi në fjalë i gjykatës ka marrë formë të prerë më datë 10.02.2011. Nga data 17 prill 2009 deri në datën 20 prill 2009, i dënuari ka qenë me masë sigurimi “arrest burg” dhe ka vuajtur tri ditë burg, të cilat llogariten në pesë ditë burg. Policia informoi se nga data 20 prill 2009 deri në datën 10 shkurt 2011, datë kur vendimi ka marrë formë të prerë, i dënuari ka qenë me masë sigurimi “arrest në shtëpi” dhe ka vuajtur një vit, 9 muaj e 26 ditë. Në këto kushte, të dënuarit i mbeten për të vuajtur edhe katër ditë burgim. Për kryerjen e këtij dënimi policia ka vendosur të arrestojë 34-vjeçarin, i cili do të lirohet pas katër ditëve qëndrim në ambientet e burgut. Policia tha se pas ndalimit të 34-vjeçarit në Tiranë, urdhri i prokurorisë është ekzekutuar më datë 27 gusht 2011 në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Tiranë. Përllogaritja e kohës së dënimit të kryer për të arrestuarin është bërë mbi bazën e ligjit që përcakton mënyrën si llogariten dhe si përkthehen në dënim ditët e kaluara në masën e arrestit të shtëpisë apo të arrestit me burg. Sipas burimeve nga Policia dhe Prokuroria, shtetasi Fatmir Çupi është arrestuar në janar 2009 për shkak se është akuzuar për futjen në Shqipëri të aparateve satelitore “Dreambox”, të cilat janë tregtuar në vendin tonë në mënyrë të paligjshme, pa leje dhe pa u regjistruar në autoritetet doganore dhe tatimore.











