
Krimi, pasi bashkëshorti e gjeti me të dashurin 27-vjeçar në apartamentin e tyre në Tropojë. Arrestohet 31-vjeçarja.
Dyshime se burri i kapi në flagrancë. Autorja: U zunë te dera e shtëpisë.
Krimi në mesnatë në apartamentin e çiftit. Arrestohet 31-vjeçarja.
Një ngjarje e pazakontë, e nisur si një romancë, por e përfunduar në një tragjedi, ka tronditur Tropojën, por dhe më gjerë opinionin publik. Gruaja 31-vjeçare ka vrarë me kallashnikov burrin dhe të dashurin e saj dhe më pas ka pranuar krimin e ndodhur brenda në shtëpi. Eduart Dollapi, 34 vjeç dhe Kaçanik Gjyriqi, 27 vjeç, janë ekzekutuar njëri pas tjetrit me armë zjarri nga Manjola Dollapi, e cila tashmë është arrestuar nga policia.
Ngjarja
Burime të Policisë thanë dje për gazetën “Panorama” se rreth mesnatës të së mërkurës janë dëgjuar të shtëna me breshëri kallashnikovi. Të alarmuar, forcat e rendit të Komisariatit të Tropojës janë nisur drejt zonës nga erdhën krismat e armës së zjarrit. Për rreth 2 orësh, ata kanë ushtruar kontrolle, derisa kanë arritur të specifikojnë krimin, në katin e parë të një pallati në lagjen “Partizani” të Bajram Currit. Pikërisht në banesën e Eduart Dollapit, forcat e Policisë kanë gjetur dy viktimat, njëri prej të cilit i zoti i shtëpisë dhe një person tjetër të gjakosur nga fytyra. Në dhomë ishte e zonja e shtëpisë, Manjola Dollapi, me një automatik të hedhur te këmbët e saj dhe një fëmijë 6 vjeç, në gjendje të traumatizuar për pamjen që kishte para syve. Dy viktimat ndodheshin pranë banjës së apartamentit të çiftit Dollapi. Policia e ka pasur të vështirë të identifikojë personin e dytë, pasi 31-vjeçarja deklaronte se nuk e njihte. Pasi kanë kontrolluar dhe nëpërmjet dokumenteve që iu gjetën me vete, u mësua se viktima ishte po banor i qytetit, Kaçanik Gjyriqi, 27 vjeç, beqar. Ekspertiza e Policisë ka vërtetuar se vdekja të dy personave u ka ardhur nga plumbat e së njëjtës armë, kallashnikov, që është gjetur në banesë dhe që ishte armë pa leje e Dollapit. Ndonëse nuk jepen detaje, dyshohet se 31-vjeçarja të ketë pasur një lidhje jashtëmartesore me Gjyriqin dhe bashkëshorti i saj e ka zënë në flagrancë.
Hetimet
Një grup hetimor nga Policia dhe Prokuroria lokale e Tropojës kanë mbushur një dosje voluminoze për këtë krim që tashmë ka një autor. Sipas deponimeve të Manjolës, burri i saj punonte në hidrocentralin e Fierzës, por ishte kthyer në mesnatë në shtëpi. Ky moment ka lënë dyshimet se burri ka ditur diçka për një lidhje jashtëmartesore dhe është kthyer papritur. Gruaja thotë se ka dëgjuar zhurmë te dera dhe i shoqi me të riun janë përleshur mes tyre. Situata ka degraduar në konflikt fizik mes dy burrave. Sipas të dhënave, Dollapi ka qenë më i fortë fizikisht dhe dy burrat janë mbërthyer me njëri-tjetrin duke u përleshur. Në këtë moment gruaja që ka parë me ankth këtë skenë, ka marrë kallashnikovin dhe ka qëlluar në drejtim të tyre, duke i vrarë në vend. Distanca ka qenë shumë e afërt dhe nga fuqia e breshërisë, plumbat kanë depërtuar në trupat e dy viktimave. Ekspertiza ka vërtetuar se Dollapi është qëlluar me 8 plumba, në pjesën e parme dhe të pasme të trupit, ndërsa 27-vjecari është qëlluar me 5 plumba. Ende nuk bëhet e ditur se kë do vriste Manjola, por një gjë është e sigurt, se ajo më pas ka qenë në një gjendje depresive. Plagët e marra nuk kanë lënë asnjë mundësi për t’u dhënë ndihmën e parë viktimave. Enigmë mbetet nëse Dollapi kishte informacion për atë çfarë po ndodhte në familjen e tij dhe është kthyer qëllimisht, apo kthimi i tij ka qenë i rastësishëm. Policia hedh dyshimet se gruaja, në situatën e një zënie në flagrancë nga ana e burrit, në kushtet e tronditjes, ka marrë armën dhe ka nisur të qëllojë me breshëri. Vetëm kur ka parë se çfarë kishte ngjarë, është bllokuar në mes të dhomës, derisa e kanë gjetur punonjësit e Policisë.
Hetuesit, në pritje të provave
Deklarimet kontradiktore të gruas 31-vjeçare me rrethanat e të dhënat në vendin e krimit kanë bërë që grupi hetimor të jetë në fazën e dyshimit në lidhje me motivin e ngjarjes. Në cilësinë e provës materiale janë bllokuar dy armë, një kallashnikov e një thikë, si dhe telefonat celularë të gruas dhe viktimave. Pritet që vetëm zbardhja e thirrjeve telefonike të hedhë dritë mbi këtë ngjarje të pashembullt.
Mohon lidhjen ilegale. Qëllova atë për ta vrarë
Rrëfimi i gruas: Nuk e kisha parë ndonjëherë 27-vjeçarin
TROPOJE – Lidhja intime mes Manjola Dollapit dhe Kaçanik Gjyriqit është vetëm një pistë mbi të cilën Policia dhe Prokuroria e Tropojës po punojnë për të zbardhur krimin e dyfishtë mesnatën e së mërkurës. Kjo, pasi vetë 31-vjeçarja e ka mohuar të ketë pasur marrëdhënie me 27-vjeçarin, ndërkohë që dhe të afërmit e tyre nuk dinë që mes dy banorëve të Bajram Currit të kishte një lidhje. Dy burrat, që ishin dëshmitarë të një situate të tillë, e morën me vete atë çka dinin, ndërsa e mbijetuara, e njëkohësisht protagonistja e vrasjes dyfishe, jep një tjetër variant. Burime të Policisë së Tropojës thonë se Manjola Dollapi ndodhej në një gjendje traumatike pas krimit. “Nuk e njoh personin me të cilin u konfliktua im shoq. S’e kam parë kurrë më parë. Burri ishte nisur për në punë, kur u kthye në mesnatë. Ra dera dhe unë dola për ta hapur, por papritur dëgjova zhurmë dhe pashë që ai po rrihej me një tjetër. Duke u përleshur mes tyre arritën deri te dera e banjës. Personi tjetër kishte një thikë në dorë. Me rrëmbim kapa kallashnikovin për ta qëlluar, por plumbat ranë mbi të dy”. Ky ka qenë rrëfimi i gruas gjatë ditës së djeshme, pas arrestimit në kushtet e flagrancës dhe izolimit të saj në Komisariatin e Policisë së Tropojës. Hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit, në pritje të përgjigjeve që do të sjellin kompanitë celulare. Vetëm atëherë do të provohet nëse mes 31-vjeçares dhe 27-vjeçarit ka pasur lidhje apo qëllimi i ardhjes në shtëpinë e Eduart Dollapit në mbrëmje nga ana e Kaçanik Gjyriqit të ketë qenë tjetër. Deri tani, ngjarja cilësohet ende në hetim nga grupi i punës që po merret me të. Sipas Policisë, Gjyriqi ishte beqar, ndërsa çifti Dollapi kishte një fëmijë 6 vjeç, i cili ka qenë në gjumë në momentet kur ka ndodhur sherri, por që është zgjuar në shok nga breshëria e kallashnikovit dhe trupat e gjakosur në shtëpinë e tij.
Viktimat
Në qytetin e Bajram Currit, Edurat Dollapin dhe Kaçanik Gjyriqin të gjithë i njihnin për njerëz të mirë dhe pa ndonjë problem a konflikt me njeri. Dollapi, sapo kishte filluar punë si roje në HC-në Fierzë, madje të afërm të tij thonë se ka qenë ndoshta dita e parë e punës apo e dyta. Më parë ai kishte punuar privatisht, por dhe te pronat në fshatin Koçanaj, nga kishte origjinën. Familja Dollapi banonte në katin e parë të një pallati dykatësh në lagjen “Partizani”. Çifti më parë nuk kishte shfaqur shenja krize dhe kishin një djalë 6 vjeç, që në momentin e ngjarjes ka qenë në gjumë.
Përplasja
E tensionuar ka qenë situata para morgut të spitalit të Bajram Currit, ku ndodheshin trupat e dy viktimave të ngjarjes tragjike. Familjarët e dy palëve, të tronditur jo vetëm nga ajo që u kishte ndodhur, por dhe nga padijenia se kush dhe pse ishin vrarë njerëzit e tyre, për pak sa nuk janë përplasur mes tyre. Forcat e policisë së Komisariatit të Tropojës kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën. Disa orë më vonë trupat janë tërhequr për t’u kryer ceremonia mortore. Mësohet se Kaçanik Gjyriqi, banor i lagjes ngjitur me pyllin sipër qytetit, është varrosur në orën 13:00, ndërkohë që Dollapi në orën 14:00 në fshatin e lindjes Koçanaj, ku ka dhe prindërit.












