TIRANE – Denis Shimili, 28-vjeçari i arrestuar mëngjesin e herët të së mërkurës në Tiranë, pas dyshimeve se “prodhonte” mina me celularë, do të hetohet në masën e sigurisë “arrest me burg”. Shimili u paraqit dje në Gjykatën e Tiranës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjyqtarja e gatshme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë ndaj Shimilit. Më herët Prokuroria kishte kërkuar vlerësimin si të ligjshëm të arrestit të flagrancë të të dyshuarit, si edhe caktimin ndaj tij të masës “arrest me burg” për veprën penale të “mbajtjes pa leje të lëndëve plasëse dhe eksplozivit”. Në këtë mënyrë, i dyshuari Shimili do të qëndrojë në qeli të paktën deri në një vendim të dytë gjyqësor. Shimili u arrestua në orën 01:30 duke gdhirë e mërkura, kur policia zbuloi materiale që shërbejnë për prodhimin e minave me celularë në banesën e tij në Rrugën e Barrikadave në kryeqytet. Policia mbërriti në banesën e Shimilit pas një telefonate nga bashkëshortja e tij, që pretendonte një konflikt në familje. Kontrolli policor në banesë zbuloi lëndë eksplozive, detonatorë, fill përcjellës dhe celularë. Sipas burimeve policore, mes lëndës eksplozive të sekuestruar janë zbuluar dy mina të montuara, detonator i lidhur me një fill pas një telefoni celular, objekte që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Dyshimet e para të policisë kanë qenë ato të përgatitjes së mundshme të ndonjë akti terrorist. Ky pretendim është kundërshtuar nga deklarimet e Shimilit, i cili është shprehur se eksplozivin e përdorte për peshkim. Po dje, gjykata ka nisur shqyrtimin e kërkesës së bashkëshortes së Denis Shimilit për “lëshim të urdhër-mbrojtjes”. Kërkesa është regjistruar më datë 9 maj në Gjykatën e Tiranës. Shimilli paditet nga bashkëshortja e tij, R. Mata. Seanca e djeshme është shtyrë për shkak se i padituri Shimili nuk kishte dijeni për këtë gjykim. “Gjykata vendos të shtyjë seancën gjyqësore me qëllim përsëritjen e njoftimit të të paditurit Denis Shimili, meqenëse rezultoi se nuk ka dijeni për gjykimin”, thuhej në vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës. Në deklarimet e dhëna në polici pas arrestimit të bashkëshortit, R. Mata pohoi se konfliktet me Shimilin i kishte për shkak të papunësisë së tij. Ndërsa për minat e gjetura në banesë ajo ka pretenduar se ato ishin mjete që përdoreshin nga i shoqi për peshkim. Familjarët e të arrestuarit kanë thënë se denoncimi dhe gjithçka ka ndodhur me të riun është pasojë e hakmarrjes së gruas së tij, e cila njoftoi policinë pasi akuzat nuk janë të vërteta. Sipas tyre, eksplozivi ka qenë për tu përdorur për peshkim.











