Me nisjen e vitit të ri shkollor, më pak nxënës u ulën në bankat e shkollës, sipas raportimit nga Drejtoritë Arsimore përkatëse, por ky duket se nuk është problemi i vetëm. Me problematika në infrastrukturë ka nisur ky sezon për një nga shkollat në Funarës të Librazhdit.
Prindërit e fëmijëve janë ngritur në protestë për të kërkuar një ndërtesë të sigurtë për të dërguar fëmijët e tyre.
Sipa raportimit nga gazetari, Osman Stafa, shkollës ekzistuese i është vënë kyçi nga autoritetet për shkak të dëmtimeve nga tërmeti dhe nuk mund të zhvillohet mësim si dhe ambientet që përdoren aktualisht. Vendimi për t’u mbyllur tashmë është marrë dhe deri në një moment të dytë, kur të mund të vendoset se çfarë do të bëhet me ndërtesën, nxënësit e zhvillojnë mësimin në ambiente alternative.
Kjo situatë, sipas prindërve, protestës së të cilëve u është bashkuar edhe stafi i mësuesve, vijon prej 4 vitesh. Ndërsa, drejtori i shkollës ka bërë kërkesa dhe njoftime të vazhdueshme për autoritetet, por nuk janë marrë masa.
“Shkolla më e afërt është 4 km.Meqë ka kaq vite që na gënjejnë ne nuk do t’i çojmë fëmijët në shkollë. Nuk pranojmë asnjë kompromis tjetër, duam të bëhet funksionale shkolla”, thanë prindërit.
Një tjetër deklaroi se fëmijët kanë mungesë të theksuar njohurish pasi klasat janë bashkuar.
“Niveli i arsimit është copë-copë sepse bëjnë mësim në klasa të bashkuara. Fëmijët tanë janë analfabetë”, tha një nënë.
“Gjithë pensionin e kam lënë për nipat. Kanë marrë shtëpi me qira dhe rrinë në Librazhd. Çfarë të them. Shkolla është komplet jashtë kushteve”, u shpreh një gjyshe.
“Kam dy fëmijë, nuk i sjell dot në shkollë. Nuk po kërkojmë gjë për vete, as punë. Do marrim rrugët, por për fëmijët shkolla duhet”, tha një tjetër prind.
Ndërsa një mësuese pranoi situatën problematike dhe tha se prindërit kanë të drejtë, por se fëmijët duhet të shkojnë në shkollë.
“Kam 40 vjet mësuese këtu. Jam ndjerë shumë keq ditën e parë kur nuk kisha asnjë nxënëse dhe nuk përjetuam asnjë emocion. Ambientet ku jemi janë të papërshtatshme, janë skandaloze, por ama fëmijët pa shkollë nuk mund të rrinë. Unë kam ardhur dhe ditët e pushimit me kolegët për të sistemuar klasën.
Këtu kam 6 nxënës të klasës së parë. Prindërit kanë të drejtë dhe ne i mbështesim, por fëmijët duhet të mësojnë, puna nga ne nuk mungon”, tha një mësuese.