
VLORE – Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për Qetsor Ferrunajn, i akuzuar për vjedhjen e disa tubave prej hekuri në pronësi të Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Ferrunaj u bë personazh i njohur pasi fitoi çmimin e madh të “Big Brother 2”. Prokuroria i kërkoi dje trupit gjykues vlerësimin të ligjshëm të arrestimit të Ferrunaj, si dhe marrjen e masës së sigurisë me detyrim paraqitjeje për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme. Sipas akuzës, shtetasi Qetsor Ferrunaj ka marrë tre punëtorë për të nxjerrë tubacionet, që kishin shërbyer para viteve 1990 për vaditjen e agrumeve në zonën e Orikumit. Sipas Prokurorisë, ky veprim është i paligjshëm dhe i dënueshëm, pasi kemi të bëjmë me vjedhje të pronës publike të mbetur në tentativë. Mbrojtja kërkoi dje vlerësimin si të paligjshëm të arrestimit të klientit të tij, pasi nuk kemi të bëjmë me kryerjen e një vepre penale. Ndërsa gjykata vendosi pranimin si të ligjshëm të arrestimit të Ferrunajt, si dhe masën me detyrim paraqitjeje në Policinë Gjyqësore sa herë të thirret prej saj. “Nuk kemi të bëjmë me veprimin e vjedhjes, pasi ai nuk e ka kryer vjedhjen. Ferrunaj ndihmoi të heqë një pjesë tubacioni të kthyer në hekurishte në pronën e një bashkëfshatarit të tij. Bashkëfshatari i tij i kishte kërkuar ndihmë për të hequr këto mbetje në pronën që e kishte marrë në bazë të ligjit 7501, sepse e pengonin për të punuar tokën, por edhe për faktin se Qetsori kishte hapur ditët e fundit një pikë për grumbullimin e hekurishteve. Bashkëfshatari i tij ishte i moshuar dhe s’kishte mundësi t’i largonte nga prona e tij”, u shpreh avokati i Ferrunajt dje në seancën gjyqësore. Sipas tij, Qetsori kishte marrë tre punëtorë për të hequr tubat e amortizuar, pa qenë në dijeni se ata ishin në pronësi të Ndërmarrjes së Ujësjellësit. I akuzuari nuk është pyetur në sallën e gjyqit nga trupi gjykues, pasi u shpreh se ishte dakord me fjalën e avokatit të tij. q.b
Sarandë, grabitet dy herë brenda 2 javësh hotel “Palma”
Pronari: Autorët lirohen nga gjykata
SARANDE – Grabitet për herë të dytë brenda dy javësh hotel “Palma” në Sarandë. Një nga hotelet më të mëdha në qytetin e Sarandës është bërë sërish pre e grabitësve rreth orës 02:30 të mëngjesit të së martës. Grabitësit, pasi kanë shqyer një nga dyert e hotelit, ato poshtë tij, pranë “Plazhit të ri”, kanë hyrë fillimisht në disa prej dhomave për të vijuar mandej tek recepsioni, duke arritur të marrin një sasi lekësh, një fotokopje, pajisje të ndryshme elektronike e elektrike, si dhe një pushkë sportive deti, e cila kishte një vlerë të konsiderueshme, sipas pronarit, rreth 5 mijë euro. Grabitja është konstatuar rreth orës 06:30, kur punonjësja e hotelit ka gjetur derën kryesore të hapur dhe më pas gjithçka të bërë rrëmujë. Pronari i hotelit “Palma”, Llambro Nesturi, kur tregon për ngjarjen e ndodhur në hotelin e tij shprehet se kjo është grabitja e dytë që i ndodh në hotel brenda 15 ditëve të fundit dhe e 7-ta në harkun kohor të tri viteve. “Policia më thotë se i arreston, por nuk ka se çfarë t’i bëjë Prokurorisë dhe Gjykatës së Sarandës, se ata i lirojnë”, shprehet ai. Madje, sipas pronarit, edhe kur janë gjetur sendet e vjedhura, nuk i janë kthyer si pronar. sh.d











