U arrestua për trafik droge në Angli, nis konfiskimi i pronave

May 19, 2012 | 12:58

KAVAJE – Policia lokale e Kavajës ka përgatitur dosjen për konfiskimin e dy bizneseve në Durrës të një 42-vjeçari shqiptar, i cili u arrestua një vit më parë në Angli si pjesëtar i një rrjeti të trafikut të drogës. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se në Prokurorinë e Kavajës u referuan materialet procedurale në zbatim të ligjit “Antimafia”, në ngarkim të Admerin Beut, nga komuna Lekaj, i cili disa ditë më parë u dënua nga Gjykata britanike me 8 vjet burg, për trafik droge. Sipas të njëjtave burime, nga informacionet e siguruara nga ana e oficerëve të Policisë, dyshohet se Beu me të ardhurat e siguruara nga trafiku i drogës figuron i regjistruar në listën e subjekteve tatimore Durrës si person fizik, në pronësi të të cilit janë një lokal dhe një dyqan. Ai u arrestua një vit më parë në Britaninë e Madhe si pjesëtar i një grupi kriminal në shpërndarjen e kokainës së klasit “A”, e cilësuar si më e pastra. Në momentin e arrestimit, Admerin Beut iu gjet e fshehur në makinë një sasi kokaine me vlerë 120 mijë paund dhe 55 mijë paund të tjerë kesh të padeklaruara. Admerin Beu, 42 vjeç, pranoi se trafikonte drogën e klasit të parë dhe se për ta realizuar këtë trafik përdorte dokumente false. Ai u kap në makinën e tij me drogë pas mbikëqyrjes që policia britanike i kishte bërë për disa kohë. Në gjykatë u theksua se Beu kishte hyrë dy herë ilegalisht në Britani. Pasi ishte kthyer një herë në Shqipëri, ai sërish arriti të rifutej si klandestin i fshehur në pjesën e pasme të një kamioni. Disa ditë më parë, shqiptari nga Kavaja, u paraqit para Gjykatës së Lartë të Edinburgut në Skoci, ku edhe pranoi akuzat se ka qenë pjesëtar i një rrjeti trafiku të drogës. Gjykata e shpalli fajtor, duke e dënuar me 8 vjet e 9 muaj burg. Menjëherë pasi u dha vendimi i formës së prerë në Gjykatën britanike, policia shqiptare nisi verifikimet në zbatim të ligjit “Antimafia”, për të zbuluar nëse ai kishte ngritur ndonjë biznes me të ardhurat e përfituara nga veprimtaria kriminale, ashtu siç edhe rezultoi dy ditë më parë.

© Panorama.al

Te lidhura