JANINE – Një i arratisur nga burgu i Hanias në Greqi, është kapur nga autoritetet helene të Janinës. Ka qenë një vjedhje ordinere që ka zbuluar shtetasin shqiptar A.J. në momentin kur po grabiste një grua të moshuar në afërsi të një supermarketi në qytetin e Janinës. Burimet mediatike greke që merren në Gjirokastër, por dhe burime nga Policia e Janinës, theksojnë se autor i kapjes së hajdutit shqiptar 33-vjeçar, ka qenë një oficer policie i cili ndodhej jashtë shërbimit. Ka qenë një grua, e cila thërriste pa pushim në qytet, pasi po grabitej sy më sy nga 33-vjeçari shqiptar me origjinë nga Fushë-Kruja. Polici është vënë në veprim pas thirrjeve të gruas së moshuar, e cila kërkonte ndihmë. Menjëherë oficeri i policisë i ndodhur rastësisht në afërsi të supermarketit, ka ndërhyrë për të shmangur vjedhjen e gruas së moshuar, por ka ndeshur në rezistencën e dhunshme të 33-vjeçarit. I gjendur në këto kushte, polici grek, ka kërkuar përforcime dhe me mbërritjen e tyre, hajduti shqiptar, është kapur. Prangosja e tij zbuloi një tjetër vjedhje të ndodhur në datën 18 gusht ku u grabitën 822 euro të depozituar në arkën e Kishës së Agio Pandalejmonit në qytetin e Janinës. Pas verifikimeve të dosjes së shqiptarit, ai rezulton i arratisur nga burgu i Hanias në Greqi qysh prej 29 majit të 2006-ës. Në burg, ai vuante dënimin me tre vjet e tre muaj për grabitje. Pas arrestimit, i riu pritet të merret në pyetje për të gjitha rastet për të cilat akuzohet. p.n











