
Prokuroria dërgoi në Apel fletëdaljen e armës dhe tytës nga Garda
Vrasja më 21 janar, provat e reja për komandantin e Gardës.
Tyta e armës së komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasje më 21 janar, dyshohet se është ndryshuar në magazinën e Gardës së Republikës në Tiranë. Pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës dorëzoi në Gjykatën e kryeqytetit kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë për Ndrea Prendin, në të cilën thuhet se komandanti i Gardës pas 21 janarit ka tërhequr një tytë arme nga magazina e Gardës. Sipas provave të sekuestruara nga Prokuroria, mësohet se në dosje ndodhet edhe regjistri 34, ku pasqyrohet pajisja me armatim e efektivave të Gardës së Republikës. Prokuroria ka sekuestruar praktikën (faqja 9 e regjistrit) në të cilën personi nën hetim Ndrea Prendi, sipas akuzës, ka firmosur tërheqjen e pistoletës, që ka përdorur më 21 janar. Arma është tërhequr nga magazina e armatimit. Pas ngjarjeve të 21 janarit, në datën 23 mars 2011 pranë Gardës së Republikës janë sekuestruar 8 pistoleta, përfshi dhe atë me numër P52796Z, e cila ishte e arma e shtetasit Ndrea Prendi. Kjo armë, sipas analizës dhe ekspertizës së kryer nga FBI më 5 janar 2012, rezultoi se ka kryer shkrepjen e predhës së gjetur në trupin e demonstruesit Faik Myrtaj, të vrarë më 21 janar 2011. Pas kësaj ngjarjeje, Prokuroria e akuzon Ndrea Prendin se për të humbur gjurmët i ka vendosur pistoletës së tij tytën e armës së shtetasit Margarit Kume, me detyre shofer i komandantit të Gardës së Republikës.
Ndryshimi i tytës
Duke qenë se për çdo armë apo predhë ekspertiza balistike bazohet në shenjat e lëna në gëzhojë dhe vjaskat e lëna në predhë, sipas Prokurorisë, komandanti i Gardës ka ndryshuar tytën e armës së tij, pasi kishte qëlluar 11 herë drejt turmës më 21 janar. Katër nga predhat e dala prej pistoletës së Ndrea Prendit, sipas akuzës, janë gjetur në zyrat e UNHCR përballë Kryeministrisë, kurse predha e pestë ka përfunduar në trupin e Faik Myrtajt. Pas ngjarjes dyshohet se Ndrea Prendi ka tërhequr nga magazina e Gardës së Republikës një tytë pistolete “Bereta”, 9 mm dhe e ka vendosur në pistoletën e tij. Ndërkohë, tytën që ishte përdorur në datën 21 janar, sipas Prokurorisë, i akuzuari e ka vendosur në pistoletën e shoferit të tij shtetasit Margarit Kume, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale “moskallëzim krimi” në këtë rast.
Zbulimi
Anomalia e dalë gjatë hetimeve në vendin e ngjarjes u bë shkak për zbulimin e veprimeve që ishin kryer, sipas Prokurorisë, me qëllim fshehjen e të vërtetës. Kështu, nga ekspertiza e gëzhojave rezultoi se 11 prej tyre ishin qitur nga arma e Ndrea Prendit. Pra, mekanizmi i brendshëm i armës së Prendit kishte lënë gjurmë në 11 gëzhoja që u gjetën brenda rrethimit të Kryeministrisë. Por ndërkohë që mekanizmi i armës përputhej me gëzhojat, tyta e saj nuk përputhej me predhat. Në këtë moment, Prokuroria ngriti dyshime për ndërhyrje të mundshme në armë dhe menjëherë vendosi të verifikojë këtë çështje. I pari person që u dyshua ishte shoferi i Ndrea Prendit, Margarit Kume, i cili ndodhet në masën e arrestit të shtëpisë për akuzën “moskallëzim krimi”. Sipas Prokurorisë, ai ka qenë në dijeni të veprimeve të kryera me armën e tij, por nuk e ka penguar dhe nuk e ka denoncuar atë që ka ndodhur. Dy pistoletat u dërguan për ekzaminime në SHBA dhe nga laboratori i FBI-së u konfirmua se predhat e gjetura në zyrat e UNHCR, si dhe predha e gjetur në trupin e Faik Myrtajt, ishin qitur nga pistoleta e përdorur në shërbim nga Ndrea Prendi më 21 janar 2011. Gjatë dëshmisë së tij, Prendi ka mohuar të ketë qëlluar drejt turmës, duke thënë se ka shtënë me armë vetëm në ajër.
Kërkesa për masën e arrestit me burg
Masa për Ndrea Prendin, Apeli shpall më 8 shkurt vendimin
TIRANE – Prokuroria e kryeqytetit, e cila nuk është dakord me ndjekjen penale në arrest shtëpie ndaj Ndrea Prendit, ka dorëzuar në Apel kërkesën për caktimin e masës “arrest me burg”. Organi i akuzës ka dërguar në Gjykatën e Apelit ankimin për masat e sigurisë ndaj tre të dyshuarve, Ndrea Prendi, Margarit Kume dhe Armando Kasaj. Më 22 janar 2012, organi i akuzës kërkoi masën e sigurisë arrest me burg ndaj tre personave në Gjykatën e Shkallës së Parë. Kjo Gjykatë nuk e miratoi arrestimin e tre të dyshuarve, duke vendosur ndaj tyre masën e sigurisë arrest shtëpie. Sipas Prokurorisë, Ndrea Prendi i akuzuar për vrasje, shoferi i tij Margarit Kume i akuzuar për moskallëzim krimi dhe Armando Kasaj, i akuzuar për shpërdorim detyre, duhet të hetohen në gjendjen e arrestit me burg. Organi i akuzës e bazon kërkesën në rrezikshmërinë e veprave penale dhe në faktin se të akuzuarit kanë dëmtuar provat dhe janë përpjekur të pengojnë hetimin e çështjes. Më 8 shkurt 2012, Gjykata e Apelit pritet të shqyrtojë masat e sigurisë për Nrea Prendin dhe shoferin e tij, ndërsa më 12 shkurt në Gjykatën e Apelit vendoset për Armando Kasajn.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











