
Një vizitë në “fshatin e ndaluar”, buzë liqenit të Ohrit.
Si ruhej fshati kufitar dhe kalimi me leje të posaçme nga Ministria e Punëve të Brendshme
Për dekada me radhë ka qenë fshati i ndaluar. Zona që në dimër izolohej nga bora dhe në verë mbushej me agjentët e Sigurimit. Sepse Tushemishti ishte vendi ku Enver Hoxha gjente qetësinë, prehjen shpirtërore, që sot, falë investimeve turistike, mund ta gjejnë të gjithë aty. Tushemishti është një fshat i vogël, buzë liqenit të Ohrit, në komunën e Buçimasit. Nuk ka më shumë se 100 shtëpi. Ai ndodhet në skajin më jugor të qytetit të Pogradecit, në kufi me ish-Republikën e Maqedonisë. Dikur, të shkoje në Tushemisht duhej të merrje leje nga Ministria e Punëve të Brendshme në Tiranë. Këto leje bëheshin më të vështira në stinën e verës, kur atje shkonte për të pushuar udhëheqësi i asaj kohe, Enver Hoxha. Pas viteve ’90, fshati kufitar buzë liqenit të Ohrit, ashtu si të gjitha pikat kufitare në Shqipëri, u bë i hapur për të gjithë në të katër stinët e vitit. Atyre që shkuan aty për herë të parë u ndodhi ajo që u kish ndodhur dy mijë vjet më parë ushtarëve të Jul Cezarit. Sapo panë liqenin, ushtarët e Jul Cezarit u befasuan aq shumë nga bukuria e tij, sa thirrën të entuziazmuar “lyknidas!”, që do të thotë “liqeni i dritës”. Dy mijë vjet më vonë, kur shqiptarët panë për herë të parë Tushemishtin, thanë të mrekulluar: Nëse ka parajsë në tokë, ajo është këtu, në Tushemisht!
Piramida
Tushemishti i ngjan një diamanti të vogël, në formë piramide. Baza e kësaj piramide është liqeni. Buzë tij shtrihet fshati. Pastaj vjen fusha pjellore me burime të shumta. Më tutje, kodrat e buta. Në majë të kodrës, rrëzë fshatit, ngrihet kisha. Akoma më lart, në mes të një pylli të bukur, shtrihen varrezat e fshatit. Kur i sheh nga liqeni, ato të duken sikur qëndrojnë pezull në qiell. Që në fillim të shekullit të kaluar, Tushemishti ka pasur rrugë me kalldrëm dhe rrjet kanalizimesh për ujërat e zeza e të bardha. Për shkak të burimeve të shumta, fusha e Starovës, ku ndodhet Tushemishti, prodhon me bollëk çdo gjë: fruta, perime, drithëra etj. Këtu nuk mungon as blegtoria, as peshku. Nëse hyn në qilarët e shtëpive tushemishtare, do të shihni butet me verë, damixhanat e rakisë, qypat me musht, turshi e pastërma. Kavaletat me mollë e kashtë, po e po.
Voloreka ose Driloni
Në hyrje të fshatit ndodhet Voloreka, domethënë “lumë i madh”. Nuk është i madh për nga thellësia apo gjerësia. Është i madh për vlerat që ka. Disa i thonë Drilon, që do të thotë “uji që dridhet”. Kjo për shkak se rrëshqet aq ngadalë, sa duket sikur dridhet. Kjo pikë turistike, tashmë e njohur nga të gjithë, është prezantimi më kuptimplotë për Tushemishtin. Këtu ka pasur vetëm një lokal turistik të ndërtuar me dru e gurë, ku pinte kafen e mëngjesit Enver Hoxha sa herë shkonte me pushime në Pogradec. Banorët e fshatit ishin të parët që e merrnin vesh ardhjen e tij. Jo se takoheshin me të, por sepse kur vinte Enver Hoxha për pushime në Pogradec, hiqeshin zhurmuesit televizivë për stacionet e huaja në Cervenakë. Tani, lokalin e dikurshëm ku diktatori pinte kafen e mëngjesit, e kanë marrë me qira tushemishtarët. Pa ndryshuar destinacionin dhe arkitekturën, ata e kanë bërë më të madh e më të bukur. Madje, në një nga sallat e lokalit, pikërisht atje ku ulej diktatori pranë oxhakut, për disa kohë vendosën një pikturë që tregonte E. Hoxhën duke pirë kafe. Të huajt, sa hynin në lokal, uleshin pranë oxhakut, shikonin pikturën, e pyesnin gjithë kureshtje: “Çfarë ndodhte në fshat kur vinte Enver Hoxha? Kush i shërbente? Si e pinte kafen Enver Hoxha, me sheqer apo jo, sepse kemi dëgjuar që vuante nga diabeti?”. Ndryshe nga të huajt, shqiptarët, sa futeshin në lokal, rrudhnin buzët e fillonin nga shpotitë: “Akoma me Enverin ju?! Akoma me këta komunistë të qelbur! Po ju jeni më keq se këta…”. Bënë ç’bënë, pronarët e hoqën pikturën, edhe pse të huajt qëndronin në lokal pikërisht për shkak të asaj pikture dhe natyrisht, e shtonin ndjeshëm xhiron ditore të lokalit.
Biznes dhe turizëm
Ndoshta jo të gjithë e dinë se dikur Voloreka ka qenë kënetë. Pemët e mbjella aty janë marrë nga e gjithë Shqipëria. Në këtë kuptim, Voloreka është një minipark kombëtar, një poezi drurësh e ujërash, ku mund të kalosh një ditë të paharruar. Mjellmat e shumta, rosat, patat, peshqit, të cilët mund t’i shohësh e prekësh me dorë ndërsa shëtit me varkë, i japin peizazhit një bukuri të veçantë. Tushemishti është vend i burimeve. Ato vijnë nga liqeni i Prespës, poshtë Malit të Thatë dhe shpërthejnë nëpër shkëmbinjtë e Krastës, rrëzë fshatit. Të parët i futën këto burime në mes të shtëpisë, aty ku përgatitnin zairenë e dimrit. Në verë i përdornin edhe për të kaluar vapën. Shumë familje i kanë disiplinuar këto ujëra në vaska për rritjen e peshkut. Ky aktivitet është jo vetëm një punë interesante, por edhe një biznes fitimprurës. Nuçi, për shembull, i lodhur nga puna në emigracion, vendosi të kthehet përfundimisht në fshat. Ai na thotë me krenari se është i lumtur që ka ndërtuar tri vaska për rritjen e peshkut dhe i ka dhënë drejtim jetës së tij me këtë biznes. Dhomën nga ku del burimi nuk e ka prishur. Përkundrazi, e ka ruajtur me fanatizëm. Në oxhak është ende pirostia, masha, saçi, kurse anë e mbanë dhomës gjenden veglat e punës, me të cilat ka punuar babai, gjyshi e stërgjyshi i tij. Nuçi ka bërë vetëm një gjë: dyshemenë prej betoni e ka zëvendësuar me një skarë hekuri, që kushdo të mundë të shohë se si gurgullon ujët poshtë shkëmbinjve, mbi të cilët ngrihet shtëpia. Ky është një muze natyral etnografik për të kuptuar se si kanë jetuar tushemishtarët nga brezi në brez. Nuçi e mban derën e shtëpisë gjithmonë hapur dhe kushdo mund ta shohë këtë muze të gjallë pa pagesë. Burimet e shumta, bregu i liqenit, natyra e mrekullueshme, klima e shëndetshme, – të gjitha këto i kanë dhënë një zhvillim të vrullshëm turizmit në këtë fshat. I pari e filloi Pandi, këtu e 20 vjet më parë, kur shtëpinë e tij e ktheu në hotel. Po ky nuk është i vetmi. Nga rezidencat qeveritare e deri në kufi me Maqedoninë janë ngritur dhjetëra hotele, bare e restorante. Në secilin prej tyre mund të kalosh një ditë të paharruar e në të njëjtën kohë të provosh kuzhinën tradicionale. Tavën me peshkun e rrallë koran, që mund ta provosh vetëm këtu, askund tjetër.
Sërf në Tushemisht
Ilir Tasellari, banor i Tushemishtit, thotë: “Tani ka ikur koha, ha koran e fli. Njerëzit kërkojnë një pushim atraktiv. Çfarë do të bëjnë kur vijnë këtu? Me se do të merren? Si do të argëtohen? Pra, çfarë do t’u afrojmë atyre ndryshe nga të tjerët?”. Për të ilustruar idenë e tij, Iliri na demonstron një shëtitje me sërf, një spektakël të vërtetë, që të lë me gojë hapur. Ky është i vetmi sërf në liqenin e Pogradecit. “Mos u habisni, – na thotë ai, – në botë ky është sport i garave, mirëpo unë besoj se shumë shpejt një gjë e tillë do të realizohet edhe këtu”, shton Iliri, ndërsa na flet për ëndrrën e tij. Për një qendër për sportet ujore, pikërisht aty ku derdhet Voloreka, në hyrje të fshatit. “Mjafton një molo e thjeshtë druri, se mjetet e tjera i gjen me bollëk në çdo skaj të botës. E rëndësishme është të kesh këtë liqen, që ne e kemi, e të kesh këtë erë, që neve na e ka dhënë Zoti me bollëk”, sqaron ai. Kur e pyesim se ku e ka mësuar kaq mirë skaj-sërfin, ai na përgjigjet: “Kur isha fëmijë, kam parë në televizor interval me një sërf që rrëshqiste në ujë. Aq sa zgjati intervali, rreth tri minuta, për aq kohë unë mbeta pa frymë, shtanga. I rritur buzë ujit, i pasionuar pas notit dhe liqenit, vrisja mendjen se si mund ta bëja edhe unë një gjë të tillë. Për ditë të tëra e provova me bukë peshku, me çadra ushtrie, me kompensata etj., por më kot. Pas viteve ’90 shkova në Itali, në Riva del Garda. Burra, gra, fëmijë, të rinj e të reja, të gjithë bënin sërf. Riva del Garda është vendi me liqene të shumtë dhe erëra të forta, një vend turistik për sportet ujore. U futa në kurs, bleva një sërf dhe ja ku jam tani, në Tushemisht, në liqenin tim, të cilin nuk e ndërroj me asnjë në botë”.
“Ja projektet për kthimin në komunë turistike”
Kryetari i komunës së Buçimasit, Roshi Tollozhina, i cili ka fituar një mandat të dytë si kryetar komune në zgjedhjet e fundit lokale, pasi na sqaron rikandidimin, na thotë: “Mbi të gjitha, ka një arsye kryesore. Ajo është kthimi i komunës sonë në zonë turistike. Pra, nuk është fjala vetëm për Tushemishtin, por për të shtatë fshatrat e komunës sonë”. Për këtë plan, Tollozhina ka punuar që në mandatin e parë. Pastroi plazhin nga plehrat dhe mbushi me rërë gjithë bregun e liqenit që i përkiste kësaj komune. Në atë kohë, tre vjet më parë, ai vendosi ndriçues në të gjithë shëtitoren, nga Tushemishti deri te rezidencat qeveritare. Ndriçoi 85% të territorit të komunës. “Gjithçka që do të bëjmë, do të jetë për turizmin dhe në shërbim të tij. Zoti na ka dhënë një territor të mrekullueshëm dhe me resurse të mëdha turistike. Kemi male, kodra, fusha, burime të shumta ujore, si dhe liqenin. Në asnjë vend tjetër nuk i gjen të gjitha këto bukuri pranë e pranë, siç janë në komunën tonë.Kemi 23 projekte për një gjë të tillë. E kemi filluar me masterplanin e 80 hektarëve tokë buzë liqenit, ku do të ngrihen godina tre-katër kate, si dhe infrastruktura për to. Në komunën tonë ke mundësi t’i provosh të gjitha llojet e turizmit: turizmin malor dhe të bardhë gjatë stinës së dimrit, turizmin blu gjatë stinës së verës, turizmin e gjelbër, turizmin familjar dhe atë elitar. Jo në një stinë, por në të katër stinët e vitit. Duke ardhur në Buçimas mund të shohësh jo vetëm manastirin, kishën, liqenin, burimet e shumta që dalin nga themelet e shtëpive, por edhe Shën Naumin, që e kemi 200 metra larg prej këtej, urën e Golikut, mozaikun e Linit, varrezat monumentale të Selcës, gurin e Kamies, kishat eremite etj. I kemi të gjitha shumë afër, rreth e qark, mjafton të zgjatësh dorën e t’i prekësh në çast. Po të krijojmë kushte për turizëm gjithëvjetor, atëherë ju siguroj se në komunën tonë do të vërshojnë jo vetëm shqiptarët, se ata vijnë edhe tani, por do të tërheqim edhe shumë të huaj. Vetëm 25 km prej këtej ndodhet Aeroporti i Ohrit. E di, të huajt mund të vijnë këtu vetëm atëherë kur ne të punojmë çdo ditë për ta kthyer komunën tonë në një vend atraktiv për të gjithë, në të katër stinët e vitit. Ky është prioriteti ynë. Për këtë po punojmë”, sqaron Tollozhina.
FIQIRI SEJDIAJ
© Panorama.al











