Franc Veliu është bërë “mollë sherri” mes klubit turk te Rizesporit dhe rumunëve të Dinamos së Bukureshtit. Nga të dyja kampet është njoftuar dje se qendërmbrojtësi i talentuar i Flamurtarit ka rënë parimisht dakord me ofertat e dy skuadrave, por mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë realisht futbollisti në të ardhmen. Pak ditë më parë firmosi ish-shoku i tij i skuadrës, Hair Zeqiri. Mesfushori nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me klubin turk dhe duket se është bërë shkes edhe për Franc Veliun. Skuadra turke, e cila militon në Kategorinë e Dytë, e ka joshur futbollistin jo vetëm me një kontratë të majme financiare, por edhe me faktin se do të ketë të garantuar vendin e titullarit. Ky është një kusht i rëndësishëm për 23-vjeçarin, i cili edhe më parë ka pasur oferta nga klube të mira. Sulejman Demollari i qe lutur Franc Veliut që ta merrte seriozisht ofertën e bërë nga gjigantët rumunë. Skauti shqiptar i Dinamos së Bukureshtit tentoi që ta bindte Veliun të ndiqte gjurmët e Bakajt se nuk do të pendohej. Ky i fundit, pas disa hezitimesh, e refuzoi ofertën duke kërkuar një rrogë tepër të lartë (afro 18 mijë euro në muaj dhe duke kërkuar garanci për vendin e titullarit. Në këto kushte, bisedimet e para dy muajve u zbehën, por Dinamo e Bukureshtit është hedhur sërish në sulm për shqiptarin, tani me një tjetër ofertë financiare (sërish më e ulët se 18 mijë euro në muaj) dhe duke i dhënë më shuam garanci për të luajtur rregullisht në ekip. Media rumune e bën fakt të kryer kalimin e Veliut në Rumani, madje ka dalë në përfundimin se lojtari e ka prishur kontratën me klubin e Flamurtarit dhe se do të firmosë në Rumani.











