Turqia mbështet sovranitetin e Kosovës

Aug 26, 2011 | 19:02

PRISHTINE- Turqia mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe të drejtën e qeverisë së saj për të shtrirë autoritetin e vet në të gjitha pjesët e vendit. Kështu u shpreh gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutogllu.

Davutogllu theksoi se bashkëpunimi me dy vendeve do të thellohet edhe më tej dhe se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e njohjeve të reja, pasi ky proces, siç u shpreh ai, është në interes të mbarë rajonit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi shefin e diplomacisë turke për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Kosovës në procesin e pavarësimit dhe në procesin e zhvillimit dhe të njohjeve të reja.

Thaçi foli për përkushtimet për shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit, duke shtuar se vendimet e fundit të qeverisë janë legjitime dhe kushtetuese.

“Të gjitha vendet e rajonit kanë objektiv integrimin në BE dhe për ta arritur këtë ato duhet të respektojnë integritetin territorial të vendeve fqinje”, tha kryeministri Thaçi.

© Panorama.al

Te lidhura