Dje, Prishtina u vizitua nga zëvendëskryeministri turk, Bylent Arenc, i cili përcolli mesazhin e qartë se “integriteti territorial i Kosovës është një çështje e padiskutueshme, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”. Deklarata u bë gjatë takimit të Arenc me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi, ku u bisedua edhe për çështjet e forcimit të bashkëpunimit ekonomik. Ky qëndrim ishte një përforcim i deklaratës së një dite më parë të ministrit të Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, i cili tha se “Harta e Ballkanit nuk ndryshon më”. Kështu edhe Turqia sqaroi se mbajtja e barrikadave në pjesën veriore të Kosovës nga minoriteti serb që jeton në këtë zonë, nuk do të thotë se Beogradi do të ketë luksin të marrë atë pjesë të Kosovës. Serbët vazhdojnë të qëndrojnë në barrikada në Rudare, pranë Zvecanit, por ndërkohë po vëzhgojnë të gjitha pikat e tjera që thuhet se janë zhbllokuar, sidomos ato që të çojnë në drejtim të Jarinjës. Ndërkohë, kryenegociatori i ekipit të Beogradit për dialogun e fundit me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, tha se tashmë kriza është kaluar dhe beson se zgjidhja e problemit do të diskutohet në Bruksel. Pas mesazhit “të paqes”, ai theksoi se “nuk do të lejohet vendosja e institucioneve të Kosovës në Veri dhe se Serbia nuk mund të dëbohet nga Kosova”. Sipas zyrtarëve serbë, trazirat e fundit në veri nuk do të ndikojnë negativisht në bisedime, madje do t’i përshpejtojnë ato. Në raundin e ardhshëm të dialogut, Stefanoviç tha se shpreson që do të zgjidhet problemi i vulave doganore.











