Ndonëse jo me një fitore plebishitare, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe lideri i saj, Kryeministri aktual turk, Recep Taip Erdogan, duket se janë drejt marrjes së një mandati të tretë për të qeverisur Turqinë.Kur janë numëruar 50 për qind e fletëve të votimit, AKP ka siguruar 52.8 për qind të preferencave të turqve. Sipas parashikimeve, Erdogan do të sigurojë mandatet për qeverisjen e ardhshme, por jo 2/3 e nevojshme për kryerjen e reformave kushtetuese që Erdogan kishte premtuar gjatë fushatës, për të zotëruar 367 vende në Parlament nga 550 gjithsej.
Në Parlament, këtë herë me një grup të vetin, do të përfaqësohen edhe ultranacionalistët e MHP-së, kundërshtarët më të ashpër të Erdogan për ndryshimet kushtetuese.
Ndërkohë, qendra e majtë ka marrë rreth 18 për qind të votave. Gjatë procesit zgjedhor u vërejtën disa incidente, ku më i rëndi, siç raporton agjencia turke e lajmeve, “Anadoll”, u regjistrua në Ankara. Disa simpatizantë të opozitës sulmuan mbështetësit e Erdogan duke i akuzuar për manipulime. Për të vendosur qetësinë, është dashur ndërhyrja e policisë, që ka qëlluar në ajër dhe ka shoqëruar rreth 50 persona.
Gati askush nuk e dyshonte se Erdogan do të fitonte sërish në këto zgjedhje. Sipas analistëve, Erdogan ka sjellë në Turqi gjatë viteve të kaluara një stabilitet dhe rritje të lartë ekonomike. Ekonomia i jep Erdoganit vetëbesimin e duhur se këtë të diel (12.06.2011) do të fitojë zgjedhjet pa problem. Gjatë fushatës, ai ka premtuar rritjen e mëtejme ekonomike dhe një rol më të fuqishëm të Turqisë në botë. Në pllakatet parazgjedhore bëhej fjalë edhe për 100-vjetorin e lindjes së Republikës së Turqisë, në vitin 2023. “Turqia është e gatshme, qëllimi është 2023-shi!”, thuhej. Duket se Edogani ka për qëllim të mbetet në pushtet deri në vitin 2023. Megjithatë, Erdoganit nuk i munguan edhe kritikat gjatë kësaj fushatë elektorale. Sipas “Deutsche Welle”, disa prej mbështetësve të dikurshëm ndërkombëtarë të Erdoganit janë distancuar prej tij. Revista britanike “The Economist”, që më parë u sugjeronte zgjedhësve të votojnë për të, kësaj here u ka sugjeruar të votojnë për partinë opozitare, CHP. Muajt e kaluar, Turqia ka ngritur shpesh aktakuza dhe ka frikësuar gazetarët. Vëzhguesit thonë se proceset janë nën kontrollin e qeverisë. Kritikohet edhe angazhimi jo i duhur i partisë AKP për integrim në BE si dhe mungesa e një zgjidhjeje të problemit me kurdët. Analistët nuk e mohojnë zhvillimin, por thonë gjithashtu se mungon “thellësia dhe largpamësia”. E, megjithatë, Erdogan arriti të fitojë. Dhe me 337 vende në Parlament, fiton sërish të drejtën të krijojë qeverinë e re.











