Turpërohen “topçinjtë”, Mançesteri i mund 8 me 2

Aug 29, 2011 | 12:29

Një turpërim në kuptimin e plotë të fjalës: Arsenali mundet 8 me 2 nga Mançesteri në fushën e këtij të fundit, duke treguar dobësimin që ka pësuar kjo skuadër pas largimit të Cesk Fabregas dhe Samir Nasrisë. Tetë gola brenda 90 minutave është bilanci shkatërrues që Aleks Ferguson i ka rezervuar dje kolegut të tij, Arsen Venger. Një rezultat ky që nuk shënohej prej shumë kohësh jo vetëm e marrë si fitore e Mançesterit, por edhe si humbje e Arsenalit. Goleadën për “djajtë e kuq” e nisi Uelbek në minutën e 22-të. Pesë minuta më vonë, holandezi Robin van Persi pati rastin më të mirë për të barazuar rezultatin, por gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Që aty mori disheza e kësaj skuadre dhe nisi apologjia e golave të Junajtid. Një minutë më vonë, Joung do dyfishonte dhe më pas Runi do ta çonte në tre diferencën e golave në minutën e 41-të. Para fundit, Ualkot shënoi për Arsenlain, por vetëm kaq. Në fraksionin e dytë të lojës u pa e njëjta situatë me një Runi të papërmbajtshëm, i cili shënoi edhe në minutat 64 dhe 82. Tetëshen e golave e plotësoi Nani e Park, ndërsa Van Persi vetëm sa futi emrin në listën e golashënuesve, pa sjellë ndonjë ndryshim thelbësor për Arsenalin. Pas tri javëve kampionat, Mançester ka shënuar tri fitore duke grumbulluar nëntë pikë, ndërsa Arsenali është pothuajse në fund të tabelës me 1 pikë. Në tri ndeshjet e tjera të luajtura po dje, Njukastëll fitoi në fushën e vet ndaj Fulhamit 2-1, ndërsa Stoke Siti arriti të merrte një fitore minimale (1-0) në fushën Uest Bromviç. Në transfertë fitoi edhe Mançester Siti, 5-1 ndaj Totenhamit, ku Edin Dzeko shënoi katër gola.

Mançester-Arsenal 8-2

Shënues: Uelbek 22′, Joung 28′, 90′, Runi 41′, 64′, 82′, Nani 67′, Park 70’/ Ualkot 45′, Van Persi 74′
Kartonë të verdhë: Joung, Evans, Xhenkinson, Arshavin, Van Persi, Djourou
Karton i kuq: Xhenkinson 77′
Mançester: De Gea, Smalling, Xhones, Evans, Evra, Nani (Gigs 68′), Anderson (Park 68′), Kleverlej, Joung, Runi, Uelbek (Hernandez 35′). Trajner: A.Ferguson
Arsenal: Szczesni, Xhenkinson, Koscielni, Djourou, Traore, Kokuelin (Çamberlain 62′), Ramsej, Rosicki, Ualkot (Lansburi 84′), Van Persi (Shamak 84′), Arshavin. Trajner: A.Venger

© Panorama.al

Te lidhura