
TIRANE – Gjykata e Lartë mendon se pavarësisht arratisjes së bujshme të shtetasit turk Abdulselam Turgut, pas arrestimit për trafik droge në Rinas, Gjykata e Apelit ka vepruar drejt me lirimin e tij nga paraburgimi. Ditët e fundit, Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin e saj në lidhje me shtetasin turk, të shumëkërkuar në disa shtete për akuzën e trafikut të drogës. Abdulselam Turgut u bë i famshëm në Shqipëri, për shkak se pas arrestimit në Rinas u la i lirë nga Gjykata e Apelit e më pas humbi gjurmët duke i shpëtuar drejtësisë. Gjykata e Lartë në vendimin e zbardhur thekson se më 19 shkurt 2001, Prokuroria ka dërguar pranë Gjykatës së Tiranës kërkesën për miratimin e arrestit të përkohshëm dhe caktimin e masës shtrënguese “arrest me burg” 40 ditë, për efekt ekstradimi për shtetasin Abdulselam Turgut. Në datën 18.02.2011, rreth orës 15:00, nga kontrolli i personave që hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga linja ajrore “Turkish Airlines”, ishte bllokuar shtetasi turk Abdulselam Turgut. Ky veprim është kryer për arsye se shtetasi turk Abdulselam Turgut, sipas Interpolit ka rezultuar me statusin “I kërkuar – me qëllim arrestimi”. Pas kontaktit të Ministrisë së Rendit Publik me Zyrën Qendrore Kombëtare të Interpol–Tirana, nga kjo e fundit është konfirmuar me një e-mail se ky shtetas është shpallur ne kërkim ndërkombëtar nga Interpol – Wiesbaden (Gjermani) me urdhrin europian të arrestit të lëshuar në datën 21.09.2009, me akuzën e “trafikimit të heroinës, opiumit” me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në Gjermani, pasi kjo vepër sipas nenit 53 të Kodit Penal gjerman paraqet rrezikshmëri mjaft të lartë shoqërore dhe dënohet me 15 vjet burgim. Nga shërbimet e Policisë gjyqësore është bërë verifikimi i saktë i shtetasit dhe faqja e e-mailit, në të cilin kërkohet arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi në Gjermani e në këto kushte është bërë arrestimi i përkohshëm i shtetasit Abdulselam Turgut. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.311, datë 20.02.2011, ka vendosur: “Miratimin si të ligjshëm, të ‘arrestit të përkohshëm’ të shtetasit turk Abdulselam Turgut, i datëlindjes 27.05.1967 dhe caktimin si masë shtrënguese për këtë shtetas, për efekt ekstradimi, atë të ‘arrestit në burg’, me afat 40 ditë. Por Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin 118, datë 04.03.2011, ka vendosur: “Ndryshimin e vendimit penal të masës së sigurimit, duke ndryshuar masën e sigurimit nga ‘arrest në burg’, me afat 40-ditor të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, në atë të ”arrestit në shtëpi” me afat 40-ditor në godinën e ndodhur në “Kthesën e Kamzës” Tiranë, në katin e 8-të, të shtetasit turk Abdulselam Turgut. Pikërisht në këtë adresë shtetasi turk nuk ka qëndruar asnjë ditë, pasi vetëm 48 orë pas lirimit nga Apeli, Policia gjyqësore kontrolloi në këtë adresë dhe nuk e gjeti shtetasin turk aty. Para se të deklarojë lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit për lirimin e shtetasit turk, Gjykata e Lartë thekson se i tërheq vëmendje Apelit, se nuk ka bërë kujdes për verifikimin e një adrese më të detajuar banimi dhe nuk e ka shoqëruar caktimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” me urdhërimin e të pandehurit të mos largohej nga vendi i caktuar ku ai banonte.











