FATOS ÇOÇOLI
Sipas të dhënave të fundit nga platformat e dhënies me qira afatshkurtra të dhomave “Airbnb” dhe “Booking.com”, janë 20 mijë familje nga Shqipëria që janë regjistruar tek “Airnbnb” për të dhënë me qira mjediset e tyre, si dhe 11 mijë të regjistruar në platformën “Booking.com”. Sikur gjatë këtij viti vetëm 1,000 euro të kenë marrë mesatarisht këto 31 mijë familje, i thonë deri tani mbi 150 mijë qytetarë tanë të kenë fituar të paktën 31 milionë euro nga aktiviteti i dhënies me qira të dhomave të tyre, sidomos për turistët e huaj. Investimi, duke kthyer një pjesë të shtëpive të tyre, ose të gjithë shtëpinë në mjedis banimi me qira afatshkurtër, po del ai i duhuri.
Dhe, sipas Shoqatës së Pronave të Paluajtshme të Shqipërisë, qiraja mesatare ditore për një dhomë është rritur nga 55 euro në vitin 2023, në 65 euro nata këtë vit. Në të vërtetë, të ardhurat mesatare për këto 31 mijë familje deri tani nuk janë 1 mijë euro, por 2,500- 3,000 euro. Bëhet fjalë për një përfitim te 70- 80 milionë euro në këto tetë muajt e parë të vitit dhe kjo është gjë shumë e mirë për këto familje shqiptare dhe për mbarë ekonominë tonë. Peizazhet piktoreske, historia e pasur dhe kultura e gjallë e Shqipërisë e kanë vendosur vendin qartësisht në hartën turistike, duke çuar në pasoja të rëndësishme për tregun e saj të pasurive të paluajtshme(real estate). Me, sipas INSTAT, mbi 6.3 milionë vizitorë të huaj në periudhën janar-korrik 2024, ose 25 për qind më shumë se periudha janar-korrik 2023, industria në rritje e turizmit po riformon peizazhin e pronave në Shqipëri, me përqendrim në kërkesën për pronat me qira, mundësitë e investimeve dhe tregun në zhvillim për qiratë afatshkurtra.
Me një numër në rritje të turistëve që vizitojnë plazhet, vendet historike dhe qytetet e Shqipërisë, kërkesa për pronat me qira është rritur ndjeshëm. Kjo kërkesë është veçanërisht e theksuar në zonat bregdetare dhe qendrat kryesore urbane. Tregu i pronave, të blera nga vendës dhe të huaj, për dhënie me qira, varion nga vilat luksoze tek apartamentet me çmime të përballueshme, duke iu përgjigjur një spektri të gjerë turistësh. Investitorët vendës dhe të huaj tërhiqen nga tregu i pasurive të paluajtshme shqiptare, për shkak të potencialit për kthime të larta nga investimi, veçanërisht në destinacionet turistike. Investimi i qeverisë dhe sektorit privat në infrastrukturë, po bën që zonat më parë të paarritshme të bëhen më tërheqëse për investuesit vendës dhe të huaj, në pasuritë e paluajtshme.
Popullariteti i platformave të qirave afatshkurtra, madje edhe ditore, si “Booking.com” dhe “Airbnb” është rritur, me pronarë vendës dhe të huaj të apartamenteve dhe vilave, që i shfrytëzojnë këto platforma, për t’iu shërbyer turistëve që kërkojnë përvoja autentike. Zhvillimi i tregut të pasurive të paluajtshme për shërbime turistike nga investitorët vendës dhe të huaj ka sjellë përfitime ekonomike të dukshme për komunitetet lokale, duke përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e infrastrukturës lokale. Ka rrugë dhe lagje në Tiranë që identifikohen me mikpritjen e turistëve që vijnë për trajtim mjekësor, për “turizëm” mjekësor.
Sot, edhe në sajë të investimeve të qeverisë në infrastrukturën rrugore dhe në shërbimet e përmirësuara jetike si uji dhe energjia elektrike, ka një theks të rritur në turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të pasurive të paluajtshme, për të siguruar përfitime afatgjata për sektorin e turizmit dhe komunitetet lokale. Ekziston potenciali për diversifikim të mëtejshëm në tregun e pasurive të patundshme, duke përfshirë zhvillimin e pronave të ekoturizmit dhe turizmit kulturor. Një tjetër drejtim shumë premtues është biznesi i shtëpive-bujtina në fshatrat jo vetëm dhe domosdoshmërish në bregdet, por në të gjitha zonat e vendit. Ndërveprimi midis turizmit dhe pasurive të paluajtshme në Shqipëri paraqet si mundësi, ashtu edhe sfida. Ndërsa vendi vazhdon të rritet si një destinacion turistik, tregu i tij i pasurive të patundshme është i vendosur të zhvillohet më tej, duke ofruar mundësi tërheqëse për investitorët dhe pronarët e pronave vendës dhe të huaj, ndërsa kërkon një fokus në zhvillim të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm.
Që nga viti 2014, investimet vendëse dhe ato të huaja në pasuri të paluajtshme në Shqipëri kanë arritur shifrën e 4 miliardë e 360 milionë eurove. Blerjet e shtetasve të huaj në vitet e fundit kanë qenë një faktor me peshë në tregun e pronave në Shqipëri dhe kanë luajtur një rol të konsiderueshëm në rritjen e çmimit të pronave, sidomos në periudhën pas pandemisë nga COVID-19 dhe gjatë viteve 2022-2024. Ka shpresë të rilindur në vendin tonë për shumë fitim dhe për një të ardhme të qëndrueshme, përmes ofrimit të mjediseve për turizëm bregdetar, agrar (bujtinat), të natyrës dhe atë kulturor.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al