
KORÇE/ “Niveli i lartë si ai i birrave gjermane”
Udhëtojnë nga Gjermania për të vizituar investimin gjigant në Shqipëri.
Turistët e konsiderojnë “Birra Korça” mbretëreshën e investimeve. Fabrika “Birra Korça” është pozicionuar sërish në epiqendrën e vëmendjes për turistët e huaj.
Plot 30 vizitorë gjermanë kanë përzgjedhur që mes atraksioneve të Korçës të ndalen edhe në një prej fabrikave më bashkëkohore. Ata kanë pasuar një tjetër grup turistësh po nga Gjermania, duke e shndërruar tashmë fabrikën “Birra Korça” në një destinacion të përhershëm të guidës së tyre në Shqipëri. Teksa kanë vizituar ambientet e fabrikës si një burim i vyer prej të cilit mund të përfitohen njohuri dhe eksperiencë, turistët gjermanë kanë vizituar aparaturat në çdo etapë të fabrikimit të llojeve të ndryshme të birrës. Punonjës të sferave dhe fushave të ndryshme në shtetin gjerman kanë përzgjedhur qytetin e Korçës, të cilit ia ka rritur edhe më tej vlerat emri i një produkti cilësor, siç është kjo birrë. Fabrika ka qenë ndalesa fillestare në qytetin juglindor, ku ata kanë shijuar gotat e birrës në këto ditë të nxehta, të cilat mbusheshin njëra pas tjetrës, qoftë me birrë të zezë apo bionde. Teksa pinin këtë birrë, turistët gjermanë reflektonin në fytyrë habinë për standardet bashkëkohore të fabrikës, por edhe shijen mbresëlënëse të birrës së prodhuar në të.
Karin Hasselkus, një prej vizitoreve, menjëherë sapo ka shijuar “Birra Korça” është shprehur se nuk e besonte se në një qytet shqiptar mund të gjente shije të tilla.
Sapo keni shijuar “Birra Korça”, si ju duket ajo?
Është e mrekullueshme. Unë nuk jam e pasionuar pas birrës, por vij nga një vend ku ajo është pija dominuese dhe arrij të bëj diferencën mes një birre të mirë dhe një birre të shkëlqyer.
Si e cilësoni këtë birrë?

Brilante. Ka mjaft cilësi dhe e shijova dy herë më tepër pasi pashë mënyrën e fabrikimit të saj. Nuk arrij ta dalloj nga birra gjermane.
Cila është përshtypja juaj për fabrikën “Birra Korça”?
Pa dyshim është një investim madhor. Madje unë do të thosha edhe një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë investitorët. Unë vetë punoj në një fabrikë gjermane ku prodhohen pije joalkoolike, por mund të them se aparaturat dhe kujdesi me të cilin punohet këtu janë absolutisht të të njëjtit nivel. Bashkë me bashkëshortin dhe patriotët e mi po e vlerësojmë hap pas hapi këtë investim gjigant këtu në qytetin e Korçës. Në këto ditë të nxehta të majit, me një gotë “Birra Korça” në dorë po shijojmë pushimet tona në vendin tuaj. Dhe në ditët në vazhdim, në ndalesat tona të mëtejshme në Shqipëri, është e thjeshtë zgjidhja që do të bëjmë: do të kërkojmë që të bëjmë gëzuar me Birrën e famshme “Korça”.
Birra, e famshme përtej kufijve kontinentalë
Birra, e cila mori emrin e qytetit duke e prezantuar atë denjësisht jo vetëm përtej kufijve shtetërorë, por edhe atyre kontinentalë, tashmë është kureshtja e shumë turistëve, të cilët e rendisin atë në krye të listës së vendeve ku vlen të ndalesh dhe të rikthehesh për një vizitë të dytë. Vizitorët gjermanë kanë preferuar të bëjnë edhe njëherë gëzuar me “Birra Korça” para se të përmbyllnin këtë vizitë që, siç e konsideruan edhe vetë, do të donin ta kishin në çdo vend ku do të ndaleshin.
Berat, gazetarët gjermanë: Infrastruktura cenon qytetin
BERAT – Grupi i gazetarëve gjermanë që mbërriti në Shqipëri pak ditë më parë ka zbritur në Berat pas takimeve në kryeqytet. Ata kanë zhvilluar një takim me kryebashkiakun Fadil Nasufi, i cili iu ka prezantuar vlerat e qytetit të Beratit, duke u ndalur te kodikët e famshëm, objektet e kultit, zonën muzeale, si dhe bashkëjetesën fetare. Sipas Nasufit, qyteti i Beratit është shpallur muze në vitin 1961. Veç kalasë dhe lagjeve muzeale, kryebashkiaku ka bërë të njohura dhe pasuritë e tjera të natyrës, siç është mali i Tomorrit, shumë qendra arkeologjike, lumi i Osumit, kanionet e famshme etj. Nga ana e tyre, gazetarët gjermanë, në pyetjet drejtuar kreut të Bashkisë, kanë shprehur përgëzimet për bukuritë e këtij qyteti, por kanë bërë dhe kritika. Ata janë shprehur se bukuritë që natyra i ka falur qytetit shëmtohen nga infrastruktura, plehrat dhe shumë godina të mbetura përgjysmë në ndërtim. “Ju keni një lulishte të mrekullueshme, pothuaj ndër më të mirat në Europë, por pranë saj ndodhet një lumë me plehra që në asnjë vend të botës nuk shikon me një pamje të tillë”, u shprehën gazetarët. d.xh
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











