Nga Ndue Dedaj
Për çfarë falënderon Kryeministri në ndalesat e tij paszgjedhore nëpër qytete të ndryshme të vendit? Që Shqipëria është më së shumti njëngjyrëshe, mbas 30 e ca vitesh pluralizëm politik? Kjo është ajo që duan shqiptarët? Po Berisha çfarë gjëje të re, të rëndësishme, vizionare, iu thotë shqiptarëve, demokra-tëve, që gjysmën i do e gjysmën i përjashton, në konferencat e tij të shtypit, përherë e me më pak njerëz? Që të vijë përsëri ai në krye të pushtetit, si shpëtim i vendit? Po cilët udhëheqës rajonalë e më gjerë janë ende në fuqi si “lideri historik” i opozitës, qysh prej 1990-s? Na thoni qoftë dhe një emër! Ndoshta bash për këtë sjellje autokratike është “shkruar” që Shqipëria të ketë udhëheqës… pa histori!
Për ata që i shohin gjërat përtej ballkoneve të dy forcave politike kryesore dhe “sejmenëve” të tyre pa vota dhe identitet elektoral, zgjedhësit i kanë bojkotuar si njërën, si tjetrën parti. Dhe s’mund të ndodhë ndryshe, kur Shqipëria ka tridhjetë vjet duke shkarë mbi gomone, sot më shumë se kurrë. Shikoni shifrat e pakësimit të shqiptarëve në vend. Janë më të vërtetë tronditëse. Sivjet kemi tridhjetë mijë maturantë, nga dyzet mijë që kishim në vitin 2016!!! A nuk do të mjaftonte vetëm kjo rënie drastike për të treguar se ku po shkojmë? Sipas INSTAT, për një vit ikin nga vendi 40 mijë të rinj, që emigrojnë kryesisht në Angli. Në mënyrë më të detajuar, 5 shqiptarë në një orë i thonë lamtumirë vendit, që do të thotë 127 vetë në njëzetekatër orë. Këta nuk e kanë fatin të dëgjojnë fjalimet falënderuese të kreut të qeverisë për suksesin e zgjedhjeve të 14 majit.
Nëse mungojnë studimet tona për emigrimin, nuk mungojnë ato britanike, sipas të cilave vetëm për tre muajt e verës të një viti më parë (qershor-shtator) mundën ta kalojnë Kanalin e La Manshit 10 mijë të rinj shqiptarë, nga 12 mijë që e kishin marrë udhën përtej detit e oqeanit. Nuk është e rastit që emigrantët më të shumtë janë nga rajoni verilindor i vendit, Hasi, Kukësi, Puka etj., ku dhe harta elektorale u bë blu, duke mos qenë dakord me politikat e “Rilindjes” për zhvillimin e këtyre zonave të kredhura në varfëri, ndonëse me pasuri natyrore e turistike jo të pakta.
Shfaqjet para zgjedhjeve fundja e kanë një përligje, pasi je në kërkim të votës, por mbasi bie sipari, kujt i thue se ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka!?
Vendi nuk qeveriset me sofizma, batuta e ironi. Njerëzit me të drejtë pyesin: Tur falënderimesh, apo pranga të SPAK-ut mbi duar funksionarësh e ish – funksionarësh lokalë e qeveritarë të kësaj mazhorance?
E dimë se qeveria nuk ka ndonjë shkop magjik, me të cilin të ndalojë ikjen e të rinjve me një të rënë, ama qeveria mund të mblidhej njëherë të vetme në Has, një nga trevat më të begata të Shqipërisë, hambari i djeshëm verilindor, për të dëshmuar se po përpiqet për progresin e asaj zone dhe mirëqenien e atyre banorëve, ku nuk dimë të jetë realizuar ndonjë projekt prej saj përpunësimin etj.
Më 14 qershor, është njoftuar mbledhja e dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë në Gjakovë, nëse do ta lejojnë zhvillimet aspak të mira në veriun e Kosovës, por a do të mund të flitej për bashkëpunim real këndej dhe andej kufirit, kur Hasi dhe Gjakova nuk kanë një “kufi” mes tyre, janë i njëjti areal gjeografik, ndonëse njëri në fushë e tjetri në mal? Kanë jo vetëm Pashtrikun të përbashkët, por dhe historinë, ku në vitet ‘20 të shekullit të kaluar Kruma ishte qendra e Prefekturës së Kosovës.
Sot, është koha e projekteve të përbashkëta mes zonave ndërkufitare të Shqipërisë dhe Kosovës, ku në këtë kuadër, vitet e fundit, në bashkinë e Hasit dhe komunën e Klinës është realizuar projekti ndërkufitar: “Kapërcimi i gjelbër drejt ekonomisë vendore me investime inteligjente”, mbështetur financiarisht nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri. Kanë qenë të çmuara dhe me simbolikë kombëtare nismat private në lëmin e agroturizmit etj. Për të sjellë ndonjë shembull të kohëve të fundit, Preni, nga Kusari (Gjakovë), që ka shëtitur botën si turist, ka mbledhur gurë nga të gjitha trojet shqiptare dhe ka ndërtuar në vendlindje një resort turistik, që e ka quajtur “Gurët e Trojeve”; apo Albani, që mbasi ka qëndruar njëzet vjet në Nju Jork, është kthyer dhe ka investuar në resortin “Hani i Hotit” në Gjakovë, por dhe të tjerë që kanë investuar këndej Qafës së Prushit. Miku ynë, gazetari Bashkim Shala na njef me një varg investimesh në bashkinë e Hasit, kryesisht resorte dhe restorante me gatime tradicionale, si “Trojet”, “Trofta”, “Jupa 2”, sallonin e dasmave “HyseniImperial”, që frekuentohet dhe nga kuksianët, fabrikën e miellit të vëllezërve Xhafa etj., jo pak prej këtyre investimeve bërë me paratë e emigracionit në Angli.
Nisma të tilla do të duhej të merrnin falënderimet dhe mbështetjen e qeveritarëve tanë. Por ky është sot një “turfalënderimesh” i munguar, pasi qeveritë e jo vetëm partitë, e kanë mendjen te votat, mbështetësit e tyre, zgjedhjet e radhës, “blindimi” në pushtet etj. E vërteta është se nuk kanë nevojë bizneset e reja për këto falënderime të njerëzve të pushtetit, por këta të fundit kanë nevojë për nismat dhe zhvillimet e ndryshme në komunitet, pasi privatët janë atje ku nuk është dot shteti, që mburret me dhënien e lejeve të ndërtimit, edhe ato shpesh me mik. Nëse investimet publike dhe private rritën, afërmendsh që njerëzit do të ikin më pak, dhe sidomos nuk do të rrezikojnë mbi gomone. Ato do të kursenin dhe marrëveshjet e qeverisë shqiptare me atë angleze për kthimin e mijëra emigrantëve të paligjshëm nga Britania e Madhe.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al