Turfullimet e z.Vuçiç për të shpallur luftë

Sep 17, 2024 | 7:36
SHPËRNDAJE

NGA GJENERAL PIRO AHMETAJ  piroahmetaj

Sigurisht e ndjek me interes strategjik, disi edhe me keqardhje, riciklimin e oshilacioneve si dhe trimërimin mbas lufte të z. Vuçiç, Presidentit të Serbisë (ish-ministrit të Milosheviçit) si dhe ushtarit të agjendës së Rusisë–Putiniste, se: “Do të shpallte luftë për kthimin e gjendjes së mëparshme (para 1999) gjeopolitike në Kosove dhe Metohi…”! Ndërsa këto turfullime, gjithsesi, kanë gjetur një interes të shtuar jo vetëm mbarëkombëtar, por edhe në Uashington, Bruksel etj., në “kapacitetin e ekspertit të sigurisë kombëtare, rajonit dhe NATO”, do përpiqem të përcjell publikisht disa gjetje dhe përgjigje/mesazhe strategjike jo vetëm ndaj Beogradit të pushtuar nga oshilacionet e Millosheviçit:

Së pari, të zgjohet dhe të harrojë ëndrrat neostaliniste në rajon dhe posaçërisht për Kosovën martire, pasi përtej të gjithave: “Prej datës së çlirimit nga pushtuesit serb (12 qershor 1999) Republika e Kosovës, sigurisht që nuk është, por edhe nuk ka për t’u kthyer më kurrë si pjesë e juridiksionit territorial dhe hartës gjeopolitike të Serbisë”. Pikë.

Së dyti, t’i lërë përrallat me/pa mbret që nuk i beson as më as Moska, as Dodik dhe sigurisht as ushtria e radikaleve në Beograd. E vërteta, pra kufijtë dhe harta gjeopolitike e patjetërsueshme janë rrënjosur dhe skalitur me gjakun e dëshmorëve të kombit në shekuj si dhe nga fuqia ushtarake e Aleancës Euroatlantike në 1999. Kështu, “për sa kohë të ketë edhe shqiptarë si dhe prezencë të USA/ NATO-s në Kosovë, Serbia ka zero shanse për të ‘shpallur luftë’, por edhe ka zero fuqi/këllqe për të sulmuar ushtarakisht sovranitetin si dhe tërësinë territoriale të Kosovës”. Thënë këtë, përsëris thirrjen miqësore për aktorët mendjehapur në Beograd: “Të mos lejojnë që qeveria e Vuçiç etj. mbas tij, të shpenzojnë kot stërkoti mbi 1.5 miliard euro në vit nga mundi i popullit serb (për armatosjen nga me tanke; ‘Mig29’, ‘Rafale’, helikopter, raketa dhe dronë vrasës) pasi e vërteta është se asnjë nga vendet ndërkufitare (përfshi Kosovën) apo Aleancë nuk e rrezikon sovranitetin e Serbisë”.

Së treti, riciklimi maktheve të Millosheviçit (Eprorit) apo trimërimi juaj (z.Vuçiç) 25 vjet mbas humbjes së luftës gjakatare, mund të ushqejë militantët si dhe agjendën e radikalëve në Beograd; interesat e krimit të organizuar, apo “laraskat dhe sorrat rreth liqenit Ujmanit …”, por kurrsesi nuk munden të trembin kombin Shqiptar si dhe as fuqinë e sprovuar (që gjunjëzoi makinerinë kriminale të Millosheviçit në 1999) të Aleancës Euroatlantike (USA/ NATO/UK/BE)!

Së katërti, pa mëdyshje, që edhe 25 vitet pas çlirimit të Kosovës apo 31 muajt e luftës neonaziste të Putinit në Ukrainë: “Oshilacionet e Beogradit zyrtar i gjej të sinkronizuara me interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan”. Por, Kremlini ka dështuar për të hapur një front të ri lufte si dhe për të mbajtur ndezur frymën antiperëndimore/ USA në rajon. Po ashtu z. Vuçiç, ka (keq)dështuar për të bërë viktimën apo për të pirë nga 5 nëna (Moskë, Uashington, Bruksel, Pekin, Paris)!

Së pesti, përtej dhe përfshi këtë rast (kërcënimin për shpallje lufte ndaj Kosovës dhe NATO-s!) përsëris se me gjithë përpjekjet dhe progresin 25-vjeçar për t’u larguar nga urrejtja dhe gjakderdhja shekullore, fatkeqësisht paqja, siguria, stabiliteti demokratik dhe ardhmëria euroatlantike për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, mbeten ende të kërcënuara kryesisht nga Serbia.

Në shtesë, gjeni edhe “tri rekomandime strategjike” për faktorët shtetërorë si dhe ekspertet/kolegët mendjehapur në Prishtinë, Tiranë, USA/NATO etj.:

1. Përkundër “dogmave internacionaliste dhe kakofonisë sovraniste”, Prishtina zyrtare kurrsesi nuk do duhej/t të marrë (pa u konsultuar) vendimmarrje me impakte strategjike, që minojnë themelet e besimit me “çlirimtarët e vërtetë/USA/NATO, që prej 25 vitesh vijojnë të mbajnë peshë kritike për sigurinë dhe ardhmërinë e Kosovës”. Për më tepër: “riciklimin e dalldisjes/kërcënimeve ushtarake të Serbisë ndaj Kosovës”, të mos i konsiderojnë si oportunitete populiste, por si “përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne”, përtej prezencës së NATO-s (që nuk do të jetë e përjetshme); vendin ku, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin me dinjitet të Kosovës nga konsumatore në kontribuuese për sigurinë si dhe integrimin e rajonit në NATO dhe BE!

2. Tirana dhe Prishtina zyrtare e kanë përgjegjësi të lartë shtetërore dhe historike njëherësh, të zhvillojnë projektin: “2-Shtete Sovrane, 1-Komb i vetëm”, duke mos u fshehur propagandës egocentrike që vjen nga fuqia e mbipushtetit dhe mbas “gishtit të përkujdesjes diplomatike”, por duke harmonizuar dhe garantuar SHBA/NATO/BE se kjo “qasje e vonuar” do të kontribuojë për paqen afatgjatë në rajon, sigurisht përfshi edhe Serbinë.

3. Aktorëve me peshë strategjike si dhe ekspertëve/kolegëve në rajon, Uashington, Bruksel, etj., do t’i risugjeroja që perspektivën e paqes dhe stabilitetin e rajonit, ta parakushtëzojnë me rikthimin e vetëm dy Masave të Mirëbesimit Reciprok (CSBM), nëpërmjet të cilave Beogradi “të imponohet” se: (a) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake duke mos kërcënuar integritetin territorial të Kosovës; (b) nuk do të vendos instalime dhe as aktivitete ushtarake (25 km distancë ajrore dhe 10 km tokësorë), në kufijtë shtetërore mes vendeve. Këto dy kushte gjithsesi duhen të monitorohen nga USA/ NATO/BE, që mbeten faktor kritik për paqen në rajon. Ndërsa, përkundër riciklimit të urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore, besoj edhe më fortë se këto turfullime staliniste për luftë mbeten një kambanë alarmi, për të mbajtur zgjuar kujtesën e popujve të Ballkanit se: “Paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të bashkëjetesës paqësore, sigurisë, mirëqenies së qytetarëve si dhe ardhmërisë euroatlantike të Shqipërisë, Kosovës, MV, Malit të Zi, Bonje-Hercegovinës dhe Serbisë”!

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura