Një gjykatë tunisiane ka dënuar ish-presidentin e këtij vendi Zine al-Abidine ben Ali dhe gruan e tij me nga 35 vjet burg. Ish presidenti Ben Ali dhe bashkëshortja e tij akuzoheshin për korrupsion dhe një seri akuzash të tjera.
Çifti u largua nga Tunizia për në Arabinë Saudite në mes të kryengritjes popullore në janar të këtij viti, ndërsa gjykata e mori sot vendimin në mungesë të presidentit.
Gjykata, në vendimin e saj parashikon edhe një gjobë prej 66 milionë dollarësh që ish presidenti Ben Ali duhet të paguajë.
Ben Ali ishte akuzuar për korrupsion, kontrabandë droge , akuza të cilat ai i kishte mohuar më parë.
Kryetari I trupit gjykues, tha ndër të tjera se një vendim lidhur me akuzat për posedim të paligjshëm të armëve dhe drogës, do të merret në datën 30 qershor.
Në një deklaratë të lëshuar më herët gjatë së hënës, Ben Ali u shpreh se e kishte marrë familjen e tij në Arabinë Saudite për arsye sigurie, dhe se ai vetë kishte si qëllim të kthehej në Tunizi.
© Panorama.al











