Tuneli, ndër më të vështirët në Ballkan dhe rruga e dibranëve

Sep 17, 2024 | 10:00
SHPËRNDAJE

NGA FATOS ÇOÇOLI fatoscocoli

Në tunelin e Murrizit, në tunelin më të vështirë të ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, si dhe sipas shumë specialistëve shqiptarë dhe të huaj, një ndër më të vështirët në Ballkan, për shkak të formacioneve gjeologjike të paqëndrueshme dhe me prurje të mëdha uji, po punohet për betonimin e 400 metrave të fundit. Tuneli ka një gjatësi prej 3.8 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës. Në tunel kanë mbaruar 87 për qind e punimeve. Tuneli i Murrizit është pjesë themelore e Rrugës së Arbrit. Kjo rrugë po ndërtohet sipas standardeve optimale evropiane.

Investimi në të, krahas dhjetëra veprave të artit, parashikon edhe mbjelljen e pemëve në të dyja anët e rrugës. Rruga e shkurton me dy herë e gjysmë kohën e mbërritjes nga Tirana në Peshkopi, në kryeqendrën e Dibrës në Shqipëri. Ose nga 4.5 orë, në më pak se 2 orë. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, qarku i Dibrës në Shqipëri ka 130 mijë banorë. Kurse Dibra e Madhe në Maqedoninë e Veriut numëron 90 mijë banorë. E gjithë kjo zonë e pasur në burime natyrore, me një tokë pjellore që prodhon perime e fruta me emër në të gjithë Shqipërinë dhe rajonin, për shkak të rrugës së keqe e shumë të vështirë malore, që deri tani kalonte nga Qafa e Buallit, qëndronte e vetizoluar nga pjesa tjetër më e zhvilluar e vendit. Rruga e Arbrit, me një gjatësi rreth 75 kilometra, do të lidhë Tiranën me Peshkopinë dhe me Dibrën e Madhe në Maqedoninë e Veriut.

Rruga, e cila e ka origjinën nga Periudha Romake, do të kalojë në 10 zona dhe do të shkurtojë me rreth 80 kilometra, ose përgjysmë, rrugën e sotme nga Burreli. Rruga e re u shmanget në mënyrë të ndjeshme lartësive mbi 900 metra mbi nivelin e detit, duke rritur shpejtësinë mesatare të përshkimit të saj në 70-80 km në orë. Nga ana e parametrave të sigurisë dhe lehtësisë së përshkrimit, ajo përbën variantin me kushte më të mira gjeologo-inxhinierike e hidrologjike. Kjo rrugë rrit standardet e udhëtimit në këtë pjesë të vendit, si dhe sigurinë rrugore, në një kohë kur rruga e vjetër ka pasur aksidente të shumta. Sot, përmes segmentit Plani i Bardhë-Qafa e Buallit, rruga Tiranë-Bulqizë përshkohet për vetëm 55 minuta, ose 21 minuta më pak se më parë. Kështu merr pak nga pak jetë dhe më shumë mundësi zhvillimi një nga zonat më të varfra të vendit, zona e Bulqizës, e njohur për minierën e saj të kromit.

Për të parë Rrugën e Arbrit të përfunduar në gjithë gjatësinë e saj, dibranët duhet të bëjnë durim edhe disa muaj, deri në fund të këtij viti. Vazhdimi i Rrugës së Arbrit në territorin e Maqedonisë së Veriut bëhet përmes kufirit shtetëror në Gjoricë, ku kalohet për në qytetin e Dibrës. Distanca nga Dibra deri në Gostivar është 65 kilometra, e nga Gostivari deri në Tetovë 25 kilometra, kurse nga Tetova në Shkup 45 kilometra. Kështu, distanca totale nga Tirana deri në Shkup, përmes Peshkopisë dhe Dibrës, do të jetë rreth 210 kilometra. Në këtë mënyrë, Rruga e Arbrit shërben edhe si një segment i Korridorit të 8-të paneuropian. Rruga do të përshkohet me shpejtësi mesatare 80 km/orë, duke mënjanuar në maksimum ngjitjet malore, pavarësisht se përgjatë saj, ajo ndërpret vargmale me lartësi mbi 1500-2000 metra. Është një rrugë mjaft panoramike dhe tërheqëse për turistët. Pasi kalon Tiranën, rruga arrin në Brar dhe, duke kaluar Shkallën e Tujanit dhe luginën e bukur të Brarit, vijon në luginën e ngushtë e të thellë të malit të Dajtit, me kanionet mahnitës të ngushtë e të thellë.

Më tej, rruga përshkon luginat malore të Shpalit, Murrizës, kapërcen me tunel në veri të Qafë-Murrizës nga ana e Tiranës, duke dalë në anën e Matit në luginat e bukura malore të Xibrit dhe të Gurit të Bardhë, si dhe në grykën e rrjedhjes së sipërme të lumit të Matit mbi Urën e Vashës. Pasi kalon luginën e Planit të Bardhë dhe tunelin e Qafës së Buallit, rruga vijon në luginën e mirënjohur të Vajkalit, Zallit të Bulqizës, Zerqanit, deri sa del në fushën e Gjoricës të pellgut të Dibrës, për të vazhduar deri në Dibër të Madhe në Maqedoninë e Veriut. Tashmë janë metrat e fundit në tunelin e Murrizit, ku përparohet përditë, edhe pse ngadalë. Tuneli e mbyll përfundimisht këtë vepër të madhe infrastrukturore, e cila që tani ka nisur të kthehet ne një motor i fuqishëm të zhvillimit ekonomik për të gjithë banorët punëtorë të zonave të Dibrës, Bulqizës dhe Matit. Dibranët e kanë ëndërruar për dekada me radhë këtë rrugë.

Në vitin e kaluar, zonën e Matit, Bulqizës dhe Dibrës e kanë vizituar 37 mijë turistë. Në sajë të Rrugës së Arbrit, brenda pak vitesh, këto zona kaq të bukura e mikpritëse të verilindjes së vendit do të vizitohen nga një numër dhjetë herë më i madh turistësh. Ekonomia e këtyre zona pret me padurim përfundimin e Rrugës së Arbrit, për të vendosur të gjitha shanset e zhvillimit të saj në prodhimin dhe përpunimin në shkallë industriale të frutave dhe perimeve të saj të njohura, si dhe në turizmin rural dhe të natyrës, bazuar në bukuritë natyrore, mikpritjen e jashtëzakonshme dibrane dhe jetën e gjallë e plot tradita të fshatit dibran.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura