Partia Socialiste pritet të refuzojë zyrtarisht ftesën e Astrit Patozit për nisjen nga puna për reformën zgjedhore. Burime pranë Partisë Socialiste thanë dje se vetëm PD në bërjen e reformës zgjedhore nuk jep asnjë garanci për të mos përsëritur të njëjtat fenomene si në zgjedhjet e kaluara.Për të marrë këto garanci, burime pranë selisë rozë thanë dje se pa faktorin ndërkombëtar nuk do të ketë asnjë lëvizje drejt reformave e kryesisht asaj zgjedhore. Skeptikë ndaj qëllimit të letrës së Patozit, burime nga Partia Socialiste thanë dje se publikimi i letrës dhe i ftesës nga Partia Demokratike bëhet për shprehje të vullnetit formal të maxhorancës pak ditë para takimit të datës 19 korrik në Bruksel të Këshillit të Stabilizim Asocimit midis Shqipërisë dhe BE-së. Por, nga përmbajtja e letrës së Astrit Patozit dhe deklaratave të bëra pak ditë më parë nga kreu socialist, Edi Rama, duket se palët bashkohen në një pikë, në domosdoshmërinë e prezencës së fortë të ndërkombëtarëve në ndërtimin e një klime të re politike pas zgjedhjeve të 8 majit. Në letrën e tij, Patozi propozon asistencën e OSBE-ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. “Propozoj gjithashtu që bashkëkryetarët e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore ose ne të dy, si drejtuesit e grupeve parlamentare të maxhorancës dhe opozitës, t’i drejtohemi me një letër OSBE/ODHIR-it dhe Komisionit të Venecias për t’i ftuar që të asistojnë komisionin me ekspertizën e tyre. Asistenca e tyre do të ishte kontribut shumë i çmuar në ndryshimet e mundshme të Kodit Zgjedhor, të nevojshme për adresimin e të gjitha rekomandimeve të raportit të OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, si dhe rekomandimet e raportit për zgjedhjet vendore 2011, që pritet të publikohet së shpejti”, shprehet në letrën e tij kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Patozi. Pak ditë më parë, në deklaratën e parë të Ramës pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për Tiranën, kreu socialist kërkoi garanci nga ndërkombëtarët për reformat, por edhe u kërkoi atyre që të prononcohen ndaj manipulimit që i janë bërë zgjedhjeve të Tiranës. Duket se garancia më e madhe për socialistët është Komisioni i Venecias, të cilit i kanë dërguar disa pyetje lidhur me procesin e Tiranës dhe standardin e zgjedhjeve të 8 majit.
Si dhe para zgjedhjeve të 8 majit, maxhoranca shprehet e gatshme të pranojë propozimet që do të vijnë nga Komisioni konsensual Parlamentar për reformën zgjedhore. “Dua t’ju siguroj paraprakisht se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të votojë, pa asnjë hezitim, të gjitha amendamentet që do të paraqiten prej jush në Komisionin e Reformës Zgjedhore, me kushtin e vetëm që ato të kenë marrë më parë vlerësimin pozitiv të OSBE/ODHIR-it dhe Komisionit të Venecias”, shprehet Patozi në letrën e tij dërguar homologut socialist, Gramoz Ruçi. Pritet që në fillim të javës PS të zhvillojë konsultime me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë lidhur me propozimin e bërë nga Partia Demokratike për ngritjen e një Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Bojkoti
Socialistët kanë premtuar një sesion parlamentar me opozitën në Kuvend. Kreu socialist u shpreh në Asamblenë Kombëtare se bojkoti e arriti qëllimin e tij dhe deputetët do të kthehen në Parlament. Kjo do të ndihmojë dhe në arritjen e një qëndrimi, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, konstruktiv ndaj reformave të vendit. Rama premtoi një kurs të ri politik të opozitës, me alternativa qeverisëse dhe ligjore, më interpelanca dhe kontrolle të gjithanshme të qeverisë, por pa përjashtuar dhe protestat.
PS iu drejtua Venecias
Partia Socialiste iu drejtua Komisionit të Venecias për zgjedhjet në Tiranë. Përmes një shkrese ku përfshihen 4 pyetje e që në thelb kanë zbatimin korrekt të ligjit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, socialistët kërkojnë opinionin e këtij komisioni për të përcaktuar ligjshmërinë e të gjithë procesit zgjedhor të 8 majit, duke ia bashkangjitur shqetësimet e tyre letrës që sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Torbjon Jagland, do t’i dërgojë Komisionit të Venecias.
Ftesat e dështuara
Dy ftesat e mëparshme për zhvillimin e një reforme zgjedhore para zgjedhjeve vendore të 8 majit kanë dështuar. Në nëntor, në 2010-n, ishte Partia Demokratike që thirri një tryezë me kryetarët e të gjitha partive parlamentare për reformën. Berisha dhe Rama shfaqën qëndrimet e tyre, ndërsa nuk dha asnjë produkt. Edhe pak muaj para zgjedhjeve, Patozi dhe Ruçi u ulën për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor në funksion të lokaleve, por edhe ajo përpjekje dështoi, duke e lënë Kodin me shumë interpretime.
Ristani:Votimi në 9 komuna, në korrik
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po përgatitet sërish për zgjedhje. Do të jetë fundi i korrikut, sipas kryetarit të këtij institucioni, ai i cili do t’i japë fund zgjedhjeve vendore në vend, duke çuar drejt kutive të votimit qytetarët e 9 komunave të fundit, për të cilat nuk ka ende një rezultat. “Janë për t’u ribërë zgjedhjet ose për t’u bërë nga fillimi, në ato vende ku nuk u arrit të bëheshin më 8 maj. Do të mundohemi t’i bëjmë sa më shpejt, ndoshta të dielën e fundit të korrikut apo të dielën e parë të gushtit, por do të mundohemi që t’i zhvillojmë brenda korrikut, në mënyrë që procesi të mbyllet përfundimisht”, tha Ristani. Zgjedhjet e pjesshme lokale do të zhvillohen për banorët e Shllakut, Paprit, Pishajt, Zall Dardhës, Armenit, Kolshit, Shallës, Finiqit dhe Mollasit, pasi më 8 maj nuk arritën të zhvillohen për shkak të parregullsive.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











