Trukimet, gjithçka nisi në Inter-Barça

Jun 1, 2012 | 13:58

“Hungarezët”, “ciganët” dhe “personi nga Azia” janë takuar në Milano në ndeshjen Inter- Barcelona (3-1), në pranverën e vitit 2010 në Champions dhe aty ka nisur manipulimi i kësaj radhe i kampionatit italian. Kjo është bërë e ditur nga telefonatat e përgjuara dhe në njërën prej tyre, Matias Lazar flet me Laios Baraniai. “Kemi një takim në Itali, vjen me avion ai personi nga Azia. Na ka ftuar në ndeshjen Inter-Barcelona dhe aty do të bëhen hesapet”. Sipas hetuesve italianë, “personi nga Azia” është pikërisht Tan Set Eng, ndërsa grupit i bashkohet edhe Zoltan Kenesei, ish-mesfushori i Tiranës, i cili vlerësohet si “përgjegjës i grupit kriminal hungarez”. Ai konfirmon praninë e tij nëpërmjet bisedave telefonike ku u tregon shokëve të tij sesi ka një biletë të mirë përballë hyrjes së lojtarëve. Ndërkohë Xhixhi Bufon, portieri i Italisë dhe Juventusit, rrezikon shumë më tepër se më parë, pasi policia i ka raportuar Prokurorisë së Kremonës lidhur me hulumtimet e saj lidhur me numrin 1 të të kaltërve. Policia Financiare italiane ka pikasur lëvizje të dyshimta parash të bëra nga Bufon dhe bëhet fjalë për 1.5 milionë euro që dyshohet se janë përdorur për baste sportive. Këto lëvizje (gjithsej 14 të tilla) janë bërë në periudhën janar-shtator 2010, të ndara në sasi nga 50 deri në 200 mijë euro dhe të dërguara një njeri të vetëm, të quajtur Masimo Alfieri dhe që punon si kamerier. Avokati i Bufonit thotë se këto para kanë shërbyer për të mbrojtur pjesë të pronësisë personale të Bufonit dhe i janë lëvruar një njeriu tërësisht të besueshëm. Ende nuk mund të thuhet me siguri që këto para janë përdorur për baste sportive. Nëse do të vërtetohej kjo gjë, Bufon do të rrezikonte shumë, pasi Federata ua ka ndaluar anëtarëve të saj që ta bëjnë një gjë të tillë.

Bonuçi rrezikon dëbimin nga Italia
Trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, është në hall jo të vogël. Pasi ka përzënë Krishiton nga ekipi kombëtar për shkak të përzierjes së tij në skandalin e basteve, të paktën si i dyshuar dhe si i hetuar, tashmë do duhet ta bëjë këtë gjë edhe me Leonardo Bonuçin. Kjo, pasi mbrojtësi juventin është gjithashtu i dyshuar e i hetuar, dhe mediat italiane kanë paraqitur dokumentin që e vërteton këtë gjë. Bëhet fjalë për regjistrin e Prokurorisë së Kremonës ku janë shënuar emrat e personave nën hetim lidhur me këtë skandal dhe ku Bonuçi është shënuar në datën 3 maj të vitit të kaluar. Bëhet fjalë për të njëjtën ditë në të cilën në regjistër gjetën vend edhe emrat e Kontes dhe Krishitos.

© Panorama.al

Te lidhura