Trukimet, FSHF: Hiqni Superioren nga bastet

May 5, 2012 | 13:11

Prodani, Hajdari dhe përfaqësuesi i UEFA-s

Prodani: Komisioni i Etikës, hetim raportet e UEFA-s për sfidat e dyshuara.

Federata, kërkesë UEFA-s për moskuotimin e ndeshjeve tona.

Asnjë ndeshje e kampionatit shqiptar nuk do të kuotohet në kompanitë e basteve në vende të huaja, kryesisht dhe specifikisht në kontinentin aziatik. Kjo ka qenë pak a shumë kërkesa që Federata Shqiptare e Futbollit i ka bërë zyrtarisht FIFA-s dhe UEFA-s, që të bëjë të mundur nëpërmjet mekanizmave të saj që Superiorja të hiqet nga të gjitha kompanitë e basteve. Lajmi bëhet i ditur nga sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, i cili ka shpjeguar se kjo nismë është marrë prej disa kohësh, por me ardhjen e përfaqësuesit të UEFA-s dy ditë më parë në Shqipëri, në takim u ritheksua kjo kërkesë e FSHF-së. “Të kuptohemi: heqja e ndeshjeve shqiptare nga sallat e basteve në botë është një gjë shumë e rëndësishme por edhe shumë-shumë e vështirë. Ne i patëm kërkuar që më parë UEFA-s dhe FIFA-s që të ndërhynin me ato fuqi që u jepte atyre ligji, me qëllim që të ndalonin që të paktën ndeshjet e kampionatit, kryesisht në Azi, ku edhe luhen më së shumti, të mund të hiqeshin. Natyrisht nuk patëm marrë një OK të prerë, pasi siç ju thashë është shumë e vështirë. Por ne shfrytëzuam rastin që t’ua kërkonim sërish, meqenëse në Tiranë erdhi për vizitë përfaqësuesi i UEFA-s që merret direkt me hetimin e trukimit të ndeshjeve. Tani të presim dhe të shohim nëse do arrihet një gjë e tillë”, ka pohuar Prodani për “Panorama Sport”. Në këtë këndvështrim duket se FSHF-ja ka vendosur të investohet fuqishëm në betejën ndaj trukimeve. Fenomeni që po trazon lojën më të ndjekur të globit, pritet të përballet me seriozitetin më maksimal edhe në vendin tonë, si rrjedhojë e një bashkërendimi të punëve, FSHF-Prokurori e Përgjithshme. Prodani ka theksuar se prej pak kohësh ka nisur nga puna edhe Komisioni i Etikës, i cili ka marrë në shqyrtim të gjitha ndeshjet që kanë ardhur në raportet e UEFA-s si të dyshuara për trukim. “Të gjitha ndeshjet që kanë ardhur në raportet e UEFA-s, të cilat sipas tyre kanë pasur anomali dhe janë konsideruara si të dyshuara për trukim, janë vënë në lupën e Komisionit të Etikës. Të gjitha këto ndeshje do të shihen me kujdes, do të hetohen si nga Komisioni, por edhe nga prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas do dilet në një konkluzion. Sigurisht që duhet pak kohë, ndaj të mos presim që menjëherë të dilet në konkluzione. E rëndësishme është që federata po bën punën e vet, duke shpresuar që kështu po luftojmë maksimalisht trukimet në futbollin tonë”, ka përfunduar Prodani.

U-21, Gega mbledh 29 talente shqiptare nga Europa
Trajneri i ekipit kombëtar Shpresa, Skënder Gega, ka thirrur në testim 29 futbollistë, të cilët nuk janë provuar më parë prej tij. Ata do të vijnë në këtë grumbullim nga disa vende të Europës dhe konsiderohen si potencial për ekipin kombëtar shqiptar. Duke nisur nga data 7 deri më 10 maj, trajneri Gega do ketë nën vëzhgim të drejtpërdrejtë këta futbollistë: Deljan Bregasi, Edis Demollari, Hysen Memolla, Rinald Shehu, Kol Nikolla, Artur Ymeri, Agron Bufi, Xhulio Pulaj, Halit Sabedini, Volonis Kadriaj, Edon Basha, Fisnik Hasanaj, Shpend Matoshi, Fatjon Celani, Iir Mehmeti, Ilir Beqiri, Matia Ferko, Taulant Kadrija, Jetmir Torra, Liridon Fazlliu, Naser Kajtazi, Gjelbërim Tahidi, Armando Delija, Jurgen Bufi, Gersi Deliu, Ramadan Morina, Egzon Kllokoqi, Albi Kuçi dhe Kevin Vasku.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura