Tropojë, qyteti për 3 javë i izoluar nga toka dhe uji

Feb 20, 2012 | 13:30

Situata e motit, dje në Tropojë

I vetmi shteg komunikimi, me vështirësi nga Gjakova e Kosovës.

Mbetet e pahapur rruga në Qafë-Mali, tragetet ngecin në Fierzë.

Qyteti i vetëm i cili ndodhet ende i bllokuar prej 3 javësh me pjesët e tjera të vendit është Bajram Curri. Banorët e tij janë të izoluar plotësisht nga toka dhe uji, ndonëse po punohet për të mbajtur të hapur një prej tyre. Rruga tokësore është e zënë nga bora e madhe dhe ortekët që nuk lejojnë hapjen sa më shpejt të saj, ndërsa rruga nëpërmjet ujit, me traget, është e bllokuar pikërisht nga mungesa e ujit. I vetmi shteg nga mund të kalohet, ndonëse me vështirësi, është rruga nacionale që lidh Tropojën me Kosovën fqinjë, nëpërmjet qytetit të Gjakovës. Aksi tjetër nga Qafë-Mali është tërësisht i pakalueshëm, pasi përgjatë këtij segmenti të vështirë ka dhe rrëshqitje dëbore dhe ortekësh të vazhdueshëm, të cilët bllokuan para pak ditësh dhe tri borëpastruese e fadroma. Edhe linja ujore e lundrimit me tragete drejt Komanit është e pezulluar. Dy ditë më parë, një tentativë e njërit prej trageteve për të mbërritur në Koman ka rezultuar e pasuksesshme, madje e rrezikshme te pika më kritike në Përroin e Selcës, ku zhavorri e inertet kanë dalë në sipërfaqe. Nëse Komani do të ngrinte nivelin e ujërave qoftë dhe me 1 metër, atëherë inertet do të shpërbëheshin nga uji dhe lundrimi do të bëhej normal. Aktualisht, dy tragetet e linjës janë të ankoruara në stacionin e Fierzës. Vetë Fierza ndodhet në një nivel mjaft të ulët, i paparë në këto vitet e fundit, në nivelin 250 metra mbi nivelin e detit. Për të arritur pikën kritike duhen vetëm 7 metra rënie që të bjerë. Ndërsa në qytet gjendja vazhdon të jetë problematike. Në brendësi të Bajram Currit bora arriti një lartësi prej 2 metrash, ndërsa në fshatrat e saj mbi 3 metra. Ditët e fundit pa reshje të tjera dëbore kanë bërë që bashkia, por dhe vetë banorët të punojnë për hapjen e rrugëve që lidhin blloqet e banimit me rrugët dhe sheshet kryesore. Gjatë gjithë këtyre ditëve, vetë banorët janë munduar që të pastrojnë çatitë nga pesha e borës për të mos pasur ndonjë fat tragjik. Për fat, qyteti i Tropojës nuk ka shënuar asnjë rast emergjence shëndetësore gjatë këtyre ditëve të vështira për shkak të fatkeqësisë natyrore. Rastet më të rënda janë shënuar në komunat e thella të Tropojës, si Margegaj e Lekbibaj, për shkak të lartësisë së madhe të dëborës dhe mungesës së komunikimit, çka solli dhe dyshimin për persona të humbur. Vetëm me përmirësimin e motit u bë e mundur që në drejtim të këtyre zonave të shkojë helikopteri dhe të dërgojë ndihma ushqimore e medikamente për banorët e izoluar totalisht prej fillimit të muajit.
Pas plot 3 javësh nga gjendja e emergjencës në të gjithë vendin, si pasojë e reshjeve të dëborës, qyteti i Bajram Currit është i vetmi i bllokuar në të gjithë vendin. Aktualisht po çlirohen pak nga pak edhe rrugët që lidhin qytetet me qendrat e komunave në zonat problematike. Sipas Drejtorisë së Emergjencave, vazhdojnë të jenë të bllokuara 22 komuna. Konkretisht, në qarkun e Kukësit janë të bllokuara komunat Shishtavec, Kalisë, Arrën, Grykë Çajë, Lekbibaj dhe Bytyç. Po punohet për hapjen e rrugës Bushtricë-Peshkopi. Aksi rrugor Kukës-Shishtavec është hapur deri në fshatin Novosej dhe po punohet për hapjen e plotë të tij. Në qarkun e Shkodrës aktualisht janë të bllokuara komunat Shalë, Shosh, Shllak, Pult, komuna Kelmend e Malësisë së Madhe dhe komunat Iballë, Fierzë dhe Blerim të Pukës. Gjatë ditës së djeshme ka vazhduar puna për hapjen e aksit rrugor Qafë-Mali -Fierzë që lidh komunat Blerim dhe Fierzë, si dhe për hapjen e segmenteve rrugore Kryezi-Iballë dhe Pukë-Qelëz. Në qarkun e Elbasanit janë të bllokuara komunat Poroçan, Lenie, Kukur dhe Zavalinë. Sot është punuar për hapjen nga bora dhe materialet inerte të rëna nga skarpatet në akset rrugore Gramsh-Kukur, Gramsh-Poroçan dhe Gramsh-Lenie.

Dibër, kryekomunarët: Na duhen ushqime dhe naftë
DIBER – Të paktën nëntë komuna në qarkun e Dibrës vazhdojnë të jenë të izoluara prej tri javësh për shkak të reshjeve të dëborës. Disa nga kryetarët e këtyre njësive vendore shprehen se problem kryesor për to është hapja e rrugëve që lidhin qendrat e komunave me rrugët kryesore dhe pastaj hapja e rrugëve të fshatrave. Kryetari i komunës Luzni, Ali Drenova, tha se rruga ka mbetur e pahapur deri në qendër të komunës vetëm për dy kilometra, pasi mjeti i Ministrisë së Mbrojtjes nuk kishte karburant për të vijuar më tej. “Që në vjeshtën e vitit të kaluar kishim në komunë disa mjete të ushtrisë. I angazhuan gjatë këtyre ditëve, por nuk kemi karburant për t’i furnizuar. Ndërkohë, drejtuesit e Shtabit të Emergjencave Civile kanë urdhëruar që ky mjet të mos punojë më në komunën tonë, duke na lënë në izolim të plotë”, theksoi Drenova. Ai nënvizoi se shoqatat jofitimprurëse kanë dërguar në komunë 40 pako ushqimore, ndërkohë që komuna ka kërkuar ndihma për të paktën 220 familje. Kryetari i komunës Kala e Dodës theksoi se dje pasdite është mundësuar hapja e rrugës deri në qendër të komunës dhe në ditët që vijnë do të punohet për hapjen e rrugëve drejt fshatrave. “Shoqata Vizion” na dhuroi 13 tonë ushqime për familjet në nevojë. Në bashkëpunim me kryetarët e fshatrave, këto ndihma do t’u jepen familjeve më të varfra”, sqaroi Bajram Himallari. Ndërkaq, kryetari i komunës Gjoricë, Vehbi Xheka, tha se problem kryesor për familjet e kësaj komune janë çatitë e shtëpive, pasi një pjesë e mirë e tyre janë dëmtuar gjatë tërmetit të fundit. Ai u ka bërë thirrje banorëve të bëjnë kujdes për largimin e borës nga çatitë dhe largimin e familjarëve në rast rreziku nga banesat.

Mirditë, fshatrat e bllokuara nga bora
Prej dy ditësh kanë pushuar reshjet e dëborës në Mirditë, por rrugët dytësore në katër komuna të rrethit vazhdojnë të mbeten të bllokuara. Përmirësimi i situatës ka ndikuar vetëm në lëvizjen e lirë në Rrugën e Kombit. Gjithashtu po punohet për të hapur edhe rrugën nga Rrësheni në Kurbnesh, por akoma nuk është lidhur me Lurën. Por ndërkaq, fshatrat e komunave janë të bllokuara, si në Fan, Orosh, Selitë, Kaçinar etj.

Ministria e Arsimit: Sot nis shkolla
Një pjesë e konsiderueshme e shkollave në zonat problematike nga reshjet e dëborës pritet të hapen sot. Sipas Ministrisë së Arsimit, në shkolla është bërë pastrimi i çative dhe oborreve, ndërsa po punohet më ujësjellësin meqenëse tubacionet janë të ngrira. Në qytetin e Tropojës nuk hapet asnjë shkollë deri në përmirësimin e kushteve të motit. Ndërkaq, në zonat ku nuk paraqiten probleme sot do të hapen të gjitha shkollat në mënyrë që nxënësit të mos kenë shkëputje në kohë të gjatë nga programi mësimor.

Malaj, vizitë në familjen Qarri
KUKES – Anëtari i Kryesisë së PS-së, i ngarkuar për qarkun e Kukësit, deputeti Arben Malaj dhe i deleguari tjetër i Kryesisë, Besnik Bare, kanë inspektuar dje zonat problematike nga reshjet e dëborës. Bare dhe një grup tjetër ka inspektuar zonat e thella në Zapod, ndërkohë që Malaj shkoi në Has dhe Tropojë, nëpërmjet Gjakovës. Malaj e ka konsideruar tepër të rëndë situatën në këtë rajon. Malajt i është dashur që në disa raste të zbresë dhe vetë nga makina e tij për ta shtyrë atë, kur ka ngecur në dëborë. Dje deputeti ka shprehur ngushëllime në familjen e 45-vjeçarit Isa Qarri në fshatin Qarr të Hasit. Ky i fundit humbi jetën një javë më parë teksa mbeti i izoluar në majë të një mali, ndërsa rregullonte një antenë interneti, duke shënuar kështu viktimën e parë nga kushtet e vështira të motit.

TROPOJE/ JONUZ HALLAÇI

© Panorama.al

Te lidhura