Tropojë, familja e viktimës dyshon për tradhtinë e gruas

May 5, 2012 | 13:30
Qyteti i Bajram Currit

Braktiset në qeli Manjola Dollapi. Askush nuk është interesuar në ambientet e Komisariatit të Bajram Currit për 31-vjeçaren, e cila akuzohet për vrasje të dyfishtë, të të shoqit dhe të dashurit 27-vjeçar. Vetë gruaja, nënë e një fëmije 6-vjeçar, nuk ka pranuar se ka pasur lidhje jashtëmartesore me Kaçanik Gjyriqin. Sipas saj, armën e ka marrë për të shpëtuar të shoqin, Eduartin, gjatë përleshjes me Gjyriqin, i cili ishte i armatosur me një thikë. Ndërsa grupi hetimor po pret provat për të vërtetuar lidhjen intime të gruas me 27-vjeçarin, familja e bashkëshortit të saj duket se e ka pranuar si të mirëqenë këtë dyshim. Burime të afërta nga familja e 34-vjeçarit Eduart Dollapi thanë dje se për ata krimi i dyfishtë në shtëpinë e njeriut të tyre ka si motiv tradhtinë e së shoqes. Ata nuk kanë pasur dijeni më parë për një lidhje jashtëmartesore të 31-vjeçares, por thonë se kthimi i papritur në shtëpi në mesnatën e së mërkurës i Eduartit ka qenë pikërisht për të vërtetuar dyshimet e tij. Eduarti ishte fëmija i madh i familjes Dollapi. Ai kishte një motër të martuar në Lezhë dhe një vëlla më të vogël. Mësohet se motrës së vetme nuk kanë arritur t’ia japin lajmin e rëndë në telefon. Asaj i kanë kërkuar që të shkonte me shpejtësi në Tropojë, pasi kishin gjyshen sëmurë dhe ndoshta nuk e gjente gjallë. Por, te dera e shtëpisë së prindërve ajo ka marrë vesh për kobin që kishte pllakosur dhe se i vdekuri ishte vëllai i saj i madh, duke humbur ndjenjat. Fatkeqësia ka qenë e dyfishtë për familjen e Dollapit, të cilët bashkë me fatin e zi të djalit të tyre, kanë dëgjuar se personi që i mori jetën ishte pikërisht gruaja dhe nëna e fëmijës së tij. Nga ekspertiza e kryer ka rezultuar se ndaj 34-vjeçarit ishin derdhur 8 plumba kallashnikovi, çka e ka bërë të padiskutueshme faktin se 31-vjeçarja ka gjuajtur me qëllim eliminimin fizik të tij. Pritet që sot Manjola Dollapi të paraqitet para trupit gjykues për të mësuar masën e sigurisë për akuzën e vrasjes së dyfishtë.

Studenti
Kaçanik Gjyriqi ishte student në Universitetin Bujqësor në Tiranë, në degën e Inxhinierisë së Pyjeve. Nga burime të këtij Fakulteti mësohet se këtë vit 27-vjeçari do të përfundonte studimet dhe do të mbronte diplomën. Ai ishte një prej 5 fëmijëve të familjes Gjyriqi. Manjola Dollapi ka deklaruar se nuk kishte njohje me të riun, çka pritet të zbardhet vetëm gjatë hetimeve të mëtejshme.

© Panorama.al

Te lidhura