Tronditet Roshi, trajneri i Këlnit kërkon ta largojë

Jul 24, 2012 | 11:53
Odise Roshi

Odise Roshi është tronditur nga deklarata që ka dhënë dy ditë më parë për mediat gjermane trajneri i Këlnit, Holger Stanislavski. Ai ka deklaruar se për shkak të krizës në të cilën ndodhet klubi, disa prej yjeve të ekipit duhet të largohen, pasi është e pamundur të përballohen pagat e tyre. “Mesfushorët Odise Roshi, Kostantino Janopulos dhe Kristofer Bauçman duhet të shohin për ndonjë skuadër tjetër. Klubi ka vendosur se është më mirë kështu”, është shprehur trajneri i Këlnit, Stanislavski. Deklarata e tij jo vetëm që ka pezmatuar futbollistët, por ka irrituar tej mase edhe tifozët e skuadrës së “cjepve”. Klubi dhe trajneri i Këlnit kanë bërë me dije se futbollistët mund të largohen në formë huazimi kundrejt klubeve që atyre iu pëlqejnë, pa kurrfarë kushtesh apo klauzolash financiare. Mjaft që ata të paguhen në ekipe të tjera për këtë sezon. Megjithatë, as kjo nuk i ka qetësuar futbollistët, të cilët ka pak shanse që të plotësojnë këtë kërkesë të klubit. Menaxheri i Odise Roshit, Adrian Aliaj, ka dhënë sinjale të qarta se kërkesa e Këlnit për të larguar mesfushorin shqiptar ka pak gjasa që të pranohet. Ai u ka bërë me dije drejtuesve dhe trajnerit të skuadrës gjermane se është e panevojshme dhe shumë e pamatur të flitet për një gjë të tillë në këtë fazë të sezonit. “Roshi është i lumtur te Këlni dhe do të japë maksimumin për këtë ekip. Sa i përket pretendimeve të fundit që janë publikuar në shtyp, më duken të nxituara dhe jo në kohën e duhur”, ka thënë ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura