Tronditet Flamurtari, largohet trajneri Muça

Aug 28, 2012 | 13:53

Shkëlqim Muça

Shpëtim Gjika e konfirmon: Zgjidhëm kontratën, i uroj suksese.

“Biseduam dhe vendosëm të mos vazhdohej bashkëpunimi”

Shkëlqim Muça nuk është më trajneri i Flamurtarit. Kur nuk kishin kaluar as 24 orë nga barazimi me Bylisin, kreu i klubit vlonjat, Shpëtim Gjika, ka konfirmuar dje në mbrëmje për “Panorama Sport” largimin e teknikut tiranas. “Nga ky moment (dje në orën 19:50), Shkëlqim Muça nuk do të jetë më trajner i Flamurtarit. Ne si klub kemi zgjidhur kontratën dhe trajneri nuk do të vazhdojë të drejtojë skuadrën. U ulëm sot (dje) dhe diskutuam gjatë me Muçën. Hodhëm argumentat mbi tavolinë dhe u nxorr konkluzioni që nuk mund të vazhdohej bashkëpunimi. Kam respekt maksimal për periudhën që Muça ka punuar te Flamurtari. Ai ngelet miku im dhe kjo që u vendos mendoj se nuk mund të cilësohet as shkarkim dhe as dorëheqje. Janë disa gjëra, të cilat ne i diskutuam dhe ndoshta nuk mund të bëhen kurrë publike. Jemi ndarë miqësisht, duke i shtrënguar dorën njëri-tjetrit edhe pas zgjidhjes së kontratës. Unë personalisht dhe stafi drejtues i klubit të Flamurtarit e falënderojmë Muçën për punën që ka bërë në Vlorë. Kam respekt dhe mirënjohje të veçantë për të, kështu që i uroj suksese në vazhdimësi. Ai mbetet miku im dhe ndoshta në të ardhmen mund të ketë bashkëpunime të tjera”,- deklaroi presidenti Gjika. Në fakt, kryebashkiaku vlonjat nuk ka dashur të japë arsyet konkrete të këtij “divorci” me trajnerin.
E kaluara
Në Vlorë ka kohë që përflitet largimi i Muçës, por deklaratat e Gjikës në media kanë qenë të atilla, saqë gjithnjë trajneri është mbështetur. Madje, jo më larg se pesë ditë më parë, i pyetur nga gazeta në lidhje me trajnerin, kryebashkiaku deklaroi: “Ka pasur një mosdakortësi të publikut vlonjat me trajnerin Muça gjatë muajve të fundit. Megjithatë, unë i kam dhënë mbështetjen e plotë. Jam i bindur se është i duhuri për Flamurtarin”. Mirëpo, tashmë ka ndodhur ajo që përflitej prej muajsh në qytetin bregdetar. Kontestimet kanë qenë të shumta ndaj teknikut tiranas, por, përtej presionit të madh që ai kishte, ai ka vazhduar punën, duke respektuar në këtë mënyrë kontratën me klubin e Flamurtarit. Shkëlqim Muça qëndroi në Vlorë për një periudhë 9-mujore. Ai u emërua në krye të pankinës kuqezi gjatë muajit dhjetor të vitit 2011. E drejtoi ekipin në pjesën e dytë të sezonit të kaluar dhe ndeshjen e parë të këtij kampionati.

Hulian Rubio drejt Vlorës, rokadë e çmendur
Ka ndodhur ajo që pritej, Hulian Rubio nuk ka rënë dakord me Tiranën për kontratën. Ka qenë një takim maratonë mes administratorit Salih Tagani dhe spanjollit, që ka zgjatur më shumë se dy orë, ku mësohet se i është dhënë zgjidhje kësaj “telenovele”. Drejtuesit i kanë bërë të qarta kushtet e vëna prej gati dy muajsh, nëse nuk fiton titullin, penalizohesh me 20 për qind të përfitimit vjetor. Nga krahu tjetër, vetë trajneri nuk ka lëvizur nga idetë e veta. Pa u mbyllur mirë ky takim, trajnerit i ka ardhur menjëherë një tjetër ofertë. Flamurtari është destinacioni i ardhshëm i Hulian Rubios, duke qenë se po dje në mbrëmje është shkarkuar nga detyra Shkëlqim Muça. Duket se transferimi i spanjollit është çështje ditësh.

Tirana/ Alimehmeti, alternativa për stolin
Menjëherë pasi u zbulua lajmi që Hulian Rubio nuk ra dakord me klubin për të rinovuar, drejtuesit kanë menduar për zëvendësuesin e tij. Emri i parë që është lakuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ka qenë ai i Krenar Alimehmetit. Duket se të gjithë anëtarët e bordit e preferojnë këtë emër, kështu që nuk është e pamundur që ai të jetë trajneri i ri i Tiranës, madje ai është kandidati numër një për të zënë këtë post. Megjithatë, paraprakisht pritet që të bëhet zyrtar largimi i spanjollit. Alimehmeti aktualisht merret me drejtimin e akademisë bardheblu, mirëpo ka shumë të ngjarë që ai të ulet në krye të stolit kryeqytetas dhe të drejtojë skuadrën për këtë kampionat. Gjithsesi, nuk përjashtohet pista e një trajneri tjetër të huaj.

© Panorama.al

Te lidhura