Trojka e ambasadorëve të akredituar në Tiranë komentuan raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit pak orë pas publikimit të tij.Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, duke thënë se ende nuk e ka parë me imtësi raportin, shprehu bindjen për profesionalitetin e tij, ndërsa theksoi se partitë duhet të punojnë për zbatimin e rekomandimeve të tij për zgjedhjet e ardhshme politike në vitin 2013. “Ende s’e kam parë raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri, por duke njohur reputacionin e Stonestreet dhe të ODIHR-it, besoj se kanë realizuar një raport profesional dhe të qartë. Raporti flet vetë edhe për rekomandimet për partitë politike”, u shpreh ambasadori amerikan, Arvizu.
Nga ana e tij, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, u shpreh se duhet punuar për zgjedhjet e ardhme bazuar në rekomandimet e raportit. Ai u bëri një apel krerëve të partive për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin. “Bashkëpunimi i forcave politike është çelësi për hapat e mëtejshëm që duhet të hedhe Shqipëria sa u përket proceseve zgjedhore. Ky bashkëpunim, mendoj se duhet të fillojë sa më shpejt. Koha për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 është afër dhe kjo periudhë duhet shfrytëzuar për të punuar me reformën zgjedhore. Kemi parë një proces zgjedhor të mirë në ditën e votimit, por kemi parë gjithashtu edhe një proces të komplikuar të numërimit të votave, çka u raportua edhe në raport. Për këtë arsye, mendoj se palët politike duhet të ulen për të punuar për këtë reformë shumë të rëndësishme. Mendoj se krerët e partive politike duhet të jenë gati, pasi kjo duhet bërë në shërbim të vendit”, u shpreh ambasadori i OSBE-së, Volfarth.
Ndërsa ambasadori i BE-së, Ettore Sekui, theksoi se forcat politike shqiptare duhet të respektojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. “Sapo e kam marrë raportin dhe janë 35 faqe, pres t`i lexoj. Megjithatë, mbështes atë që tha ambasadori Arvizu dhe them se forcat politike duhet të respektojnë rekomandimet e ODIHR-it, dhe mendoj se qëllim parësor duhet të kenë dialogun politik”, theksoi Sekui. Pas më shumë se tre muajsh, OSBE/ODIHR-i publikoi raportin e tij për zgjedhjet lokale në Shqipëri, ku apelon në mënyrë të veçantë forcat politike për bashkëpunim për reformën zgjedhore.
Deklarata
Ambasadorët e trojkës folën dje për raportin pas një darke iftar të shtruar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar për nder të përfaqësuesve diplomatikë në Tiranë. Arvizu, Volfarth dhe Sekui shprehën vlerësimet për raportin, ndërsa theksuan se ende nuk e kanë parë më imtësi.
Basha pret Vollfarth një ditë pas raportit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, priti dje në zyrën e tij, në një takim pune, ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, një ditë pas publikimit të raportit. Sipas njoftimit për shtyp, Basha e informoi ambasadorin e OSBE-së për prioritetet e Bashkisë dhe projektet që ai ka për zgjidhjen e problematikave të mprehta të qytetit. Mësohet se ambasadori i OSBE-së, Volfarth, shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me kreun e Bashkisë dhe biseda mes tyre u fokusua te mbetjet urbane të qytetit dhe riciklimin e tyre. “Volfarth shprehu gatishmërinë e OSBE-së për të bashkëpunuar me Bashkinë në projekte të ndryshme. Basha dhe Volfarth u fokusuan në mundësinë e bashkëpunimit lidhur me çështjen e mbetjeve urbane dhe të riciklimit”, thuhet në njoftimin për shtyp të Bashkisë së Tiranës.
© Panorama.al











