Trojka në Athinë, ja kërkesat e qeverisë greke

Jul 6, 2012 | 13:42

Trojka e përfaqësuesve nga BE, BQE dhe FMN ka përfunduar vizitën në Greqi, ku pas takimit me Kryeministrin Antonis Samaros dhe ministrin e ri të Financave, Janis Sturnaras, mësoi zyrtarisht kërkesat që do të paraqesë Greqia për kreditorët. Kryeministri Samaras qëndroi për rreth një orë në takim me anëtarët e Trojkës, së bashku me ministrin Sturnaras. Mediat greke theksojnë se Kryeministri dhe ministri i Financave i siguruan përfaqësuesit e Trojkës se qeveria e re greke do të përshpejtojë të kryejë ndryshime strukturore, privatizimin e institucioneve publike, mbledhjen e taksave dhe reformimin e sistemit tatimor. Por Samaras kërkoi shmangien e pushimeve të mëtejshme nga puna të punonjësve publikë. “Shkurtimet do të rezultojnë vetvetiu nga mbyllja e shërbimeve”, tha ai. Sa për kërkesat mbi uljen e pagave, Samaras dhe Sturnaras thanë se nuk duhet të bëhen reduktime të mëtejshme të pagave në sektorin privat dhe as të vendosen taksa të reja, sepse ato do të ndikonin në rritjen e recesionit. Dy zyrtarët e lartë grekë folën edhe mbi nevojën e rritjes së likuiditetit në ekonomi dhe lehtësimin gradual të tatimeve. Greqia do t’i detajojë kërkesat e saj në takimin e së hënës së ardhshme me liderët e tjerë të Financave të eurozonës. “Na presin vështirësi të mëdha, por unë jam optimist dhe shoh dritë në fund të tunelit. Tuneli është i gjatë dhe do durim për ta kaluar”, tha Sturnaras. Trojka, para se të largohej nga Athina, krijoi kontakte edhe me ministrat e tjerë të qeverisë “Samaras”. Të dhënat e mbledhura nga zyrtarët në Greqi do të përfshihen në një raport, i cili do t’i raportohet Eurogrupit, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

© Panorama.al

Te lidhura