Pagesa për privatizimin e trojeve ku janë të ngritura ende objekte në të cilat ushtrohet aktivitet ekonomiko-industrial do të bëhet 50 për qind me lekë dhe 50 për qind me bono privatizimi. Një udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Financave përcakton edhe mënyrën se si do të bëhet vlerësimi i çmimit të truallit dhe cilat do të jenë institucionet përgjegjëse. Kështu, shitja e këtyre trojeve do të bëhet nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave. Përcaktimi i çmimit për këto troje do të kalojë një sërë procedurash, duke zbatuar ligjet në fuqi. Është komisioni i vlerësimit apo dega e shoqërisë publike që i kërkon institucionit të prefektit në territorin e të cilit ndodhet objekti, konfirmimin e genplanit për objektin. Nga ana tjetër, janë zyrat urbanistike të organeve të qeverisjes vendore, bashki apo komunat, të cilat i konfirmojnë degës së shoqërive publike nëse trualli që do të shitet shtrihet në zonën industriale të miratuar me vendim të KRRT-së, ose KRRTRSH-së. Por si do të bëhet llogaritja e çmimit? “Në rast se trualli që do të privatizohet ndodhet në zonën industriale të konfirmuar sipas pikës 4, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike në Ministrinë e Financave autorizon kryerjen e pagesës së këtyre trojeve në raportin e parashikuar në pikën 2, referuar konfirmimit të AKKP-së për çmimin e truallit për metër katror sipas hartës së vlerës së miratuar në bazë të zonës ku shtrihet objekti, deri në momentin që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave vlera e truallit industrial”, sanksionon udhëzimi.











