
Komisioni i Ekonomisë, debat edhe për një punonjës të Konkurrencës. PD: Jo shtesa
PS: Kundër të gjitha privatizimeve, shumica janë të korruptuara
Qeveria shtyn me një vit afatin e shitjes së truallit shtetëror për objektet e privatizuara, për ish-ndërtesa, apo ish-pronat e kooperativave bujqësore. Projektligji “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij” është miratuar me 11 vota pro nga maxhoranca dhe 4 kundër nga opozita në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Të majtët në Komisionin e Ekonomisë deklaruan se nuk do të votojnë asnjë nismë të qeverisë që parashikon shitjen apo privatizimin e pronave publike. Projektligji në fjalë mundëson shitjen e rreth 13 700 objekteve apo godinave në të gjithë vendin që janë privatizuar që në vitin 1991 dhe që nuk kanë pronësi të truallit. Nga blerja e truallit qytetarëve u hiqet barra e pagesës së qirasë së mbartur ndër vite. Sipas specialistëve të Ministrisë së Financave, janë depozituar mbi 400 kërkesa për blerjen e këtij trualli, ndaj dhe shtyrja e afatit të ligjit është i domosdoshëm. Në total, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në të gjithë vendin janë rreth 28 mijë hektarë truall që pritet të shiten.
Lehtësitë
Në draft janë parashikuar lehtësi për qytetarët që kërkojnë të blejnë truallin e objekteve që kanë privatizuar, duke iu falur qiraja e mbartur ndër vite. Subjekteve të interesuara për blerjen e truallit do t’u mundësohet pagesa me këste apo me bono privatizimi. Për qytetarët që do të kërkojnë blerjen e truallit dhe që do ta shlyejnë menjëherë pagesën e truallit, atëherë në ligj është parashikuar një ulje prej 20% të vlerës së mbetur. “Heqja dorë nga kërkesa për pagesë të menjëhershme apo nga marrëveshja e pagesës me këste, si dhe mosrespektimi i afatit të pagesës, qoftë dhe të një kësti të vetëm në rastin e marrëveshjes së pagesës me këste, rikthen detyrimin për pagesën e qirave të papaguara”, thuhet në projektligj.
Autoriteti i Konkurrencës
Autoritetit të Konkurrencës i është shkurtuar organika e institucionit me një punonjës. Maxhoranca në Komisionin e Ekonomisë ka refuzuar kërkesën e kryetares se Autoritetit të Konkurrencës për të shtuar në 36 numrin e punonjësve në këtë institucion. Kryetari i Komisionit, Edmond Spaho, theksoi se zotimi i maxhorancës është moslejimi i shtimit të punonjësve në institucione, ndaj dhe 11 kartonët e shumicës u ngritën për të votuar organikën me 35 punonjës të këtij institucioni. F.B.
© Panorama.alDebati në Komisionin e Ekonomisë
Arben Ahmetaj: Në esencë të procesit ne jemi kundër jo me parimin, por me atë që ka ndodhur këta 7 vjet me pronën publike. Kjo qeveri ka rekorde tejet negative për keqtrajtimin e pronës publike si në përdorim, ashtu dhe në shitje. Këtu kemi raste privatizimesh negative për t’i përmendur pa fund, të cilat janë bërë sa korruptive, sa politike dhe jemi të bindur se kjo praktikë do të vazhdojë deri në ditën e fundit që kjo qeveri do të jetë në pushtet. Kjo është arsyeja e vetme që ne e votojmë këtë ndryshim kundër.Edmond Spaho: Kjo qeveri ka rekorde mjaft pozitive të privatizimit të pronës publike. Nga viti 2005 ne jemi dëshmitarë të një sërë privatizimesh që kanë sjellë efekte pozitive në ekonomi. Mund t’i referoheni raportit të FMN-së për vitin 2011, që cilëson privatizimet e ndërmarra nga qeveria si një nga arsyet që Shqipëria arriti t’i bëjë ballë krizës ekonomike botërore. Përsa u përket rekordeve negative, besoj se duhet t’i referohesh qeverisë në të cilën ke drejtuar, zoti Ahmetaj, dhe personalisht mund të ndihesh dhe të rrish kokulur për ato çka ke bërë me privatizimet gjatë kohës që ke punuar me privatizimet.
Arben Ahmetaj: Zoti kryetar, te privatizimet ke qenë ti dhe ke rekorde negative të lëshuara mbi veprat. Unë s’kam drejtuar asnjëherë privatizime, por një ditë do të drejtoj, e sigurt, dhe më mirë seç ke drejtuar ti.
Edmond Spaho: Asnjëherë, në asnjë vend, nuk jam marrë me privatizime. Bën mirë të rrish me kokë ulur për ato që ke bërë.
Mimi Kodheli: Më vjen keq që sot, në vitin 2012, akoma ka ngjarje të rënda kriminale, ku gjykatësit hidhen në erë në mes të qyteteve në Shqipëri. Është një fakt që duhet të na dhembë të gjithëve. Dhe në momentin që ne flasim për pronën, qoftë kjo e shenjtë, private apo publike, duhet diskutuar me profesionalizëm.











