Tritoli Qefalisë, hetohet si “shkatërrim prone”

Feb 15, 2012 | 12:03
Kreu i komunës Dajt, Kujtim Qefalia

TIRANE – Shpërthimi në shtëpinë e kryetarit të komunës Dajt, Kujtim Qefalia, është klasifikuar si “shkatërrim prone” e “tentativë vrasjeje” dhe hetimet për ngjarjen i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës. Në ndryshim nga hetimet paraprake menjëherë pas ngjarjes, të cilat u drejtuan nga një prokuror i Krimeve të Rënda dhe oficerë të Antiterrorit, duket se provat e kanë ndryshuar drejtimin e hetimeve. Dosja është referuar në Prokurorinë e Tiranës, duke përjashtuar kështu hetimin e ngjarjes për motive të lidhura me detyrën. Burime nga Policia e Tiranës thanë se nuk janë gjetur prova të mjaftueshme që ngjarja të hetohej si një sulm terrorist me eksploziv dhe për shkak të detyrës. Edhe pas shoqërimit të dhjetëra personave, kryesisht me precedentë penalë dhe që dyshohej të kishin ndonjë konflikt për shkaqe lejesh ndërtimi në territorin e komunës Dajt, që drejton Qefalia, policia ende nuk ka asnjë të dyshuar konkret në lidhje me ngjarjes e së hënës. Një sasi prej rreth 300 gramësh tritol shpërtheu në orët e para të mëngjesit të së hënës, në katin e dytë të vilës 3-katëshe të Kujtim Qefalisë, në vendin e njohur si “Kafja e Rremës”, në Tiranë. Fatmirësisht, nga shpërthimi i fuqishëm u shkaktuan vetëm dëme të konsiderueshme materiale, por asnjë prej pjesëtarëve të tij të familjes nuk është plagosur. Në momentin kur ka ndodhur shpërthimi, Qefalia, bashkëshortja dhe fëmijët ndodheshin në dhomat e tyre të fjetjes, që janë pikërisht në katin e dytë ku ishte vendosur eksplozivi. Dyshimet paraprake të ngritura nga grupi hetimor pas shpërthimit të eksplozivit në banesën e kryekomunarit të Dajtit, Kujtim Qefalia, lidhen me ndonjë leje ndërtimi që mund të jetë refuzuar nga ana e tij.

© Panorama.al

Te lidhura