
Rikthimi i atentateve me eksploziv në Fushë-Krujë tronditi edhe një herë qytetin në orët e vona të së dielës.Lënda eksplozive shpër-theu rreth orës 22:30, duke shkaktuar panik tek banorët. Burime të Policisë bënë të ditur se ngjarja ndodhi mbi urën e linjës hekurudhore Bubq – Fabrika e Çimentos, në vendin e quajtur lagjja “Kurtaj”, në fshatin Zallë të Fushë- Krujës. Për pasojë, është dëmtuar njëri nga parmakët e urës si dhe shinat dhe një pjesë e saj. Policia e Krujës, e ndihmuar edhe nga Forcat Speciale të Durrësit dhe specialistë të Antiterrorit, kanë nisur krehjen e zonës kryesisht në fshatin Zallë. Sipas burimeve janë shoqëruar të paktën 15 persona, të cilët janë marrë në pyetje si të dyshuar se mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.
“Nga shpërthimi i lëndës plasëse, rreth 1 metër shinë është shkëputur, ndërsa binarët e linjës hekurudhore janë dëmtuar në një gjatësi rreth 10 metra”, bënë të ditur burime në vendngjarje. Lënda është vendosur në afërsi të banesave në lagjen “Kurtaj”. Forca e shpërthimit dëmtoi dhjetë shtëpi. Njëra nga banesat ka qenë rreth 30 metra në afërsi nga ura dhe është dëmtuar më rëndë, duke iu shqyer dyert dhe thyer xhamat e dritareve. Familjarët e B.Salës kanë përjetuar natë të tmerrshme, teksa fare papritur, dyer e dritaret e banesës kanë rënë përtokë nga shpërthimi. Edhe banorët e tjerë të lagjes pohuan se kanë qëndruar gjatë të gjithë natës pa gjumë nga frika e ndonjë shpërthimi tjetër afër shtëpisë së tyre. Policia ruajti gjatë gjithë natës vendin e ngjarjes, ndërkohë që në mëngjes nisi këqyrjen, por pa mundur të gjejë gjurmë të autorëve, të cilën janë ende të paidentifikuar.
Mësohet se edhe te shpërthimi i radhës në këtë linjë hekurudhore është përdoruar pothuajse i njëjti mekanizëm i shpërthimeve të mëparshme. Kjo ka shtuar dyshimet te policia se pesë të arrestuarit e pak ditëve më parë, të akuzuar për shtatë shpërthime të ndryshme (ata vijojnë të mos pranojnë akuzat) të mos jenë autorët e hedhjes në erë të urave, shtyllave të tensionit të lartë apo linjës hekurudhore dhe mureve përreth fabrikës së çimentos. Tashmë, atentatet me lëndë plasëse në Fushë-Krujë janë kthyer në panik të banorëve. Ata shprehen se kanë frikë të dalin natën nga shtëpitë e tyre, ndërsa fëmijët janë të tmerruar nga kjo situatë e krijuar. “Fëmijët zgjohen duke qarë. Janë të trembur, pasi thuajse çdo natë po na ndodhin shpërthime. Jemi njësoj si të ishim në kohë lufte”, u shpreh një banor i lagjes “Kurtaj”, shtëpia e të cilit është dëmtuar nga shpërthimi.
Të arrestuarit, sot në Gjykatë
Pesë të arrestuarit e akuzuar për “shkatërrim të pronës me eksploziv” dhe “mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” pritet të dalin sot para togave të zeza, nga ku do t’iu komunikohet masa e sigurisë. Gjatë marrjes në pyetje në Polici, ata nuk i kanë pranuar akuzat. Të arrestuarit janë shtetasit Bashkim Zalla, 54 vjeç, nga fshati Zallë i Fushë-Krujës, i dënuar më parë për veprën penale të “vrasjes”, djali i tij, Edvin Zalla, 31 vjeç si dhe djali i vëllait të tij, 26-vjeçari Fredjon Zalla, i akuzuar më parë për “mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”. Gjithashtu, Policia e Krujës ka arrestuar edhe 35-vjeçarin Afrim Xhixha, nga fshati Nikël dhe 37- vjeçarin Xhabir Vellku, nga fshati Budull i Krujës, për ngjarjet që kanë lidhje me shpërthimet me objektiv fabrikën e çimentos.
FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











