TIRANË- Policia e Tiranës përmes një deklarate për shtyp ka njoftuar për ngjarjet e mbrëmshme në kryeqytet.
Sipas policisë, rreth orës 20.30, në Kombinat në afërsi të rrugës “Hamdi Cenoimeri”, është konstatuar se në shasinë e automjetit tip “Benz”, me targa të huaja KCJ 337, në përdorim të shtetases Ada Thaqi, 23 vjeç, është vendosur një sasi eksplozive.
“Nga ekspertët kriminalist dhe ekspertët anti eksploziv bënë të mundur çaktivizimin e lëndës eksplozive ndërkohë që po punohet për të identifikuar dhe kapur autorët e vendosjes së lëndës si dhe motiveve të kësaj ngjarje”- thuhet në deklaratë.
Policia ka dhënë detaje edhe rreth plagosjes në rrugën “Sami Frashëri”, ku është qëlluar me armë zjarri, brenda në automjetin e tij, tip Benz, me targa TR 6343 R, shtetasi Hariz Hajredinaj, 30 vjeç.
“I plagosuri u dërgua menjeherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Paraprakisht dyshohet se plagosja ka ndodhur për një konflikt të çastit, ku autori ka mundur të largohet menjëherë nga vendngjarja. Ndërkohë policia ka nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët e kësaj plagosje”- thuhet në deklaratë.
© Panorama.al











