Tritol në shtëpi, dënohet me 6 muaj burg myslimani

Jul 30, 2012 | 13:38
Drejtoria e Policisë Tiranë

TIRANE – Gjykata e Tiranës dënoi me 9 muaj burg Denis Shimilin, besimtarin praktikant mysliman, i arrestuar më 8 maj në Tiranë pas dyshimeve se përgatiste mina me celular. Ai u deklarua i fajshëm për akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Shimili përfitoi uljen e një të tretës dhe përfundimisht u dënua me 6 muaj burg. Shimili u vu nën akuzë, pasi policia gjeti në banesën e tij një kapsollë detonator me dy tela dhe dy kallëpe të mbështjella me natriban me lëndë eksplozive, tritol. Oficerët e Policisë mbërritën në banesën e tij, për shkak të një kallëzimi të bashkëshortes së Shimilit, për shkak se ishte dhunuar nga bashkëshorti. Sipas saj, konfliktet kishin lindur për shkak se Shimili nuk siguronte të ardhura për familjen e tyre me dy fëmijë të mitur. “I pandehuri i ishte kushtuar fesë myslimane dhe, paratë që siguronte nga puna e tij, ai i shpenzonte për mjete që nuk i shërbenin familjes. Shtetasja R.M., megjithëse insistonte që këto para të përdoreshin për ushqyerjen e familjes, nga ana e të pandehurit kërcënohej me veprime të dhunshme. E gjendur në këto kushte, R.M. ka njoftuar policinë se i pandehuri në kasat e dyerve të banesës së tij mbante lëndë eksplozive”, thuhej në vendimin e gjykatës.          ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura