
Policia çmonton 400 gramë eksploziv në makinën e të dashurës Adelina Thaçit dje në Kombinat .
I mbijetoi ngjarjes te “Komuna e Parisit” ku u vra Megi Jokiçi.
Një sasi prej 400 gramësh lëndë plasëse ishte vendosur në makinën e të dashurës së shtetasit Aleksandër Gocaj, 27-vjeçarit i cili javën e kaluar shpëtoi nga atentati ku gjeti vdekjen vajza e pafajshme, Megi Jokiçi. Tritoli në makinë është zbuluar mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:30, në zonën e Kombinatit në Tiranë, pranë një servisi automjetesh. Policia tha se një sasi prej 400 gramësh tritoli u zbulua në makinën tip “Mercedes C Clas”, ngjyrë vishnjë, me targa gjermane, të Adelina Thaçit. Ajo sapo ka diktuar lëndën e dyshimtë, i ka telefonuar një drejtuesi të lartë të Policisë së Shtetit, me të cilin kishte kontaktuar pas ngjarjes së ndodhur të dashurit të saj javën e kaluar, kur Aleksandër Gocaj mbeti i plagosur me armë. Vajza 28-vjeçare ka qenë në makinë bashkë me një kushëririn e saj, duke udhëtuar me makinë në afërsi të shkollës “Myslym Keta”, kur kanë zbuluar sasinë e konsiderueshme të eksplozivit që ishte vendosur poshtë motorit. Menjëherë është vënë në lëvizje Policia e Tiranës dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar dhjetëra forca nga Komisariati Nr.6, oficerë të Krimeve të Rënda, si dhe ekspertë xhenierë, të cilët kanë rrethuar vendin e ngjarjes, në një distancë sigurie 400 metra. Pas rreth 30 minutash, ekspertët e Policisë kanë mundur të çaktivizojnë lëndën eksplozive, pa u detyruar të kryejnë shpërthimin e saj. Burime nga grupi hetimor thanë se përveç faktit që sasia e eksplozivit ishte e madhe, edhe cilësia e tij ka qenë e lartë, që në rast shpërthimi do kishte pasur pasoja tragjike, jo vetëm për personat që ndodheshin brenda mjetit. Dyshohet se eksplozivi ishte montuar për t’u shpërthyer në distancë, në kohën kur në makinë do të futej Aleksandër Gocaj.
EKSPLOZIVI
Në një kohë që Aleksandër Gocaj, nga Mati, ndodhet ende në Spitalin Ushtarak, ku po merr mjekimin për plagën e shkaktuar me armë zjarri, gjatë atentatit ndaj tij te “Komuna e Parisit”, persona ende të panjohur tentuan t’i hedhin në erë makinën e të dashurës së tij. Ai vetë ruhet në spital nga punonjës policie, për të parandaluar ndonjë atentat të dytë ndaj tij, ndërsa “armiqtë” me sa duket nuk kanë ndër mend të ndalen. Adelina Thaçi, 28-vjeçarja që sipas Policisë është e dashura e Gocajt, ka qenë shënjestra e radhës e atentatorëve të 29-vjeçarit nga Mati. Burime nga Policia thanë se Thaçi ka qenë duke udhëtuar me makinën e saj “Mercedes C Clas”, me targa gjermane, bashkë me kushëririn e saj në zonën e Kombinatit, kur në lëvizje makina është fikur, pasi kishte një defekt. Në momentin kur kanë zbritur për të kontrolluar se çfarë defekti pësoi automjeti, kanë parë lëndën eksplozive që ishte vendosur poshtë motorit dhe menjëherë kanë lajmëruar Policinë. Grupi hetimor ende nuk ka një të dyshuar për ngjarjen, që me sa duket do t’i bashkëngjitet hetimit për atentatin ndaj Aleksandër Gocajt, 5 ditë më parë. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes, në momentin kur Aleksandër Gocaj është pyetur në spital në lidhje me personat që kërkojnë ta vrasin, ai ka thënë se kishte shumë armiq dhe nuk dinte kujt t’ia vinte gishtin.
Atentati i parë ndaj Sandër Gocajt, s`gjenden prova në makinën e djegur
Automjeti “Benz 240” me targë CE 476 EF u gjet në Kombinat

TIRANË – Automjeti, i cili mbrëmjen e së shtunës u gjet i djegur në Kombinat, u ekzaminua me hollësi paraditen e djeshme nga ekspertët e Policisë së Tiranës, pasi dyshohet se është makina e përdorur nga personat që qëlluan me armë shtetasin Aleksandër Gocaj, duke e lënë atë të plagosur e duke vrarë 25-vjeçaren Megi Jokiçi. Automjeti tip “Benz 240”, me targë të huaj CE 476 EF, që dyshohet të jetë përdorur natën e vrasjes së Megi Jokiçit nga autorët e krimit te “Komuna e Parisit”, ishte tërësisht i djegur nga brenda. Sipas burimeve nga Policia, zjarri kishte “zhdukur” çdo provë, që grupi hetimor shpresonte të gjente brenda makinës. Kabina e makinës mësohet se është djegur pjesërisht dhe në disa vende flakët kishin shkrirë edhe bojën. Nga ekzaminimi i automjetit u gjetën mbetje në formë bloze, me karakteristika të benzinës, gjë që sipas Policisë vërteton se makina është spërkatur me benzinë dhe më pas i është vënë flaka. Autorët për t’u siguruar që zjarri do të shkrumbonte çdo gjurmë tyren, janë siguruar që automjeti fillimisht të digjej nga brenda, për këtë arsye edhe benzinën e kanë hedhur nëpër sediljet dhe tapicerinë e “Benzit”, më pas flakët kanë dalë jashtë. Burime zyrtare të Policisë thanë se makina është gjetur duke u djegur rreth orës 19:00, në rrugën “Tanush Frashëri”, në Kombinat. “Është konstatuar se po digjej mjeti tip “Benz 240″, ngjyrë blu e errët, me targa të huaja CE 476 EF. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve u bë e mundur shuarja e zjarrit brenda në mjet”, thuhet zyrtarisht nga Policia. Burime nga grupi hetimor nuk pranojnë ta thonë zyrtarisht që makina e djegur është ajo që u përdor nga autorët për vrasjen e 25-vjeçares Megi Jokiçi dhe plagosjen e Aleksandër Gocajt. Megjithatë, në mënyrë konfidenciale ata tregojnë se është pikërisht e njëjta makinë që u filmua nga kamerat e sigurisë mbrëmjen e së enjtes, kur ndodhi krimi tek “Komuna e Parisit”, në Tiranë. Makina e autorëve të vrasjes së stomatologes së re është fokusuar nga kamerat që nga ora 21:30. “Benzi 240” me ngjyrë blu të errët, i njëjtë me atë që u gjet dy ditë më parë, ka kaluar te vendi i krimit dhe, pasi është afruar te fuoristrada ku ndodhej Aleksandër Gocaj, 27 vjeç, personat që ndodheshin brenda saj kanë qëlluar me armë. Sipas pamjeve të regjistruara nga kamerat, identifikohet qartë edhe arma e përdorur në ngjarje, një automatik “Kallashnikov”. Por personit që ka zbritur nga makina tip “Benz”, që gjatë gjithë kohës qëndronte dhe lëvizte me drita të fikura, nuk i duket fytyra. Ai ka pasur një kapele ose kapuç në kokë dhe po kështu xhupin e kishte ngritur deri në pjesën e veshëve.
© Panorama.alShkëmbim zjarri pranë Policisë së Tiranës
Një 41-vjeçar u plagos mbrëmjen e djeshme, teksa lëvizte me makinë nga zona e ish-Bllokut tek ura e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. I plagosuri Avni Hajdaraj, nga Tropoja, është qëlluar me pistoletë teksa drejtonte makinën, nga një makinë që vinte paralel me të për ta parakaluar. Hajdaraj udhëtonte bashkë me një person tjetër që ndodhej në sediljen e parë, me një makinë tip “Benz”, me targë TR 6343 R, ndërsa makina nga e cila është qëlluar me armë zjarri, ende nuk është identifikuar. Burime nga Policia thanë se 41-vjeçari ka pësuar një plagë në pjesën e shpatullës dhe është jashtë rrezikut për jetën pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Ushtarak. Të njëjtat burime thanë se ende nuk është sqaruar përfundimisht motivi i ngjarjes, nëse ka qenë për një konflikt të çastit apo ndonjë tentativë vrasjeje e paramenduar. Personi që ka qëlluar me pistoletë nga makina që ka parakaluar mjetin që drejtonte Hajdaraj, ka qenë në vendin e pasagjerit dhe nuk ka ndaluar, por vetëm ka ulur xhamin e makinës.











