Tritol banesës së hidraulikut

Jan 13, 2012 | 12:36

Artan Mehmeti, kryefamiljari i shtëpisë ku ndodhi shpërthimi mëngjesin e djeshëm në Vlorë.

Shkatërrohet shtëpia, dyshohet ngatërrim objektivi.

Një shpërthim i fuqishëm me lëndë eksplozive tronditi rreth orës 03:30 banorët e një pallati 5-katësh në lagjen “1 Maji” në qytetin e Vlorës. Sasia e lëndës, e cila pas hetimeve rezultoi të jetë më shumë se 250 gramë tritol, ishte vendosur në katin e tretë, në derën e apartamentit të shtetasit Artan Mehmeti. Persona ende të paidentifikuar kanë vendosur lëndën, por ende nuk është konfirmuar shkaku i kësaj ngjarjeje të rëndë, që fatmirësisht nuk shkaktoi viktima, vetëm dëme të konsiderueshme materiale. Policia ka hedhur dyshime se autorët mund të kenë ngatërruar objektiv. Kjo për shkakun se vetë i dëmtuari i ka pohuar grupit të hetimit se nuk kishte pasur asnjë konflikt me persona të tjerë. Sipas Policisë, 49-vjeçari Mehmeti nuk mban asnjë post të rëndësishëm shtetëror, çka mund të hidhte dyshimet se ngjarja kishte ndodhur për shkak të detyrës së tij. Mësohet se Mehmeti punon si hidraulik në Ndërmarrjen e Ujësjellësit në Vlorë. Blutë kanë kryer hetimet nga ku ka rezultuar se ai nuk kishte pasur asnjë konflikt as në punë, as me fqinjët e tij, dhe as me persona të tjerë. Po hetohet nëse ngjarja mund të ketë lidhje me ndonjë fqinj të familjes Mehmeti. Nga verifikimet e kryera nuk ka ende të dhëna për një pistë të tillë. Sipas burimeve të Policisë, edhe fqinjët e 49-vjeçarit janë persona që nuk rezultojnë të kenë pasur konflikte të mëparshme. Në momentin e ngjarjes në banesën ku është vendosur tritoli kanë qenë 6 familjarë, përfshirë të zotin e shtëpisë, Artan Mehmeti, gruan, tre fëmijët, si dhe nënën e moshuar. Dera e jashtme e blinduar, por edhe dyert e brendshme, muret e shtëpisë dhe disa orendi janë shkatërruar. Gjithashtu janë dëmtuar edhe dyert e blinduara në të gjithë katin e tretë, si dhe muret e korridorit. Shpërthimi shkaktoi panik te banorët, të cilët janë zgjuar të tmerruar dhe kanë dalë menjëherë jashtë. Në vend mbërriti policia dhe nisi hetimet, por

Dëmet nga lënda plasëse

ende nuk ka persona të identifikuar si autorë të ngjarjes. “U zgjuam të trembur. Na u tmerruan fëmijët, pasi shpërthimi ishte mjaft i fortë”, u shprehën banorë të pallatit. Ndërsa i zoti i shtëpisë, në derën e të cilit ishte vendosur lënda, aludoi në ngatërresë të objektivit, pasi ai ka mohuar të ketë pasur konflikte me ndokënd. “Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa shkatërroi derën e jashtme të blinduar si dhe dyert e brendshme. Dera e dhomës sime u shkul dhe presioni e hodhi atë mbi krevatin tim, mbi trupin tim dhe të bashkëshortes. Shkova me shpejtësi në dhomën e fëmijëve dhe të nënës. Edhe ata ishin të tmerruar, por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk ishte lënduar. Ndërsa dëmet materiale ishin të shumta. Dolëm menjëherë jashtë, aty gjetëm edhe komshinjtë tanë që ishin tmerruar. Unë nuk kam konflikt me asnjeri, mendoj se mund të jetë ngatërruar objektivi”, u shpreh Mehmeti. Në këtë pistë është duke hetuar edhe Policia e Vlorës, e cila bëri të ditur se po merr të dhëna për të ndërtuar ngjarjen dhe për të identifikuar autorët.VLORE/ QEMAL BIRAKU

Tropojë, shpërthim eksplozivi në pallat
TROPOJE – Një shpërthim eksplozivi ka tronditur lagjen “Dardania” në qytetin e Bajram Currit, por fatmirësisht pa shkaktuar dëme në njerëz , por vetëm dëme materiale. Sipas Policisë së Kukësit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të ditës së enjte, kur banorët kanë dëgjuar shpërthimin e fuqishëm dhe menjëherë kanë telefonuar në polici, e cila nuk ka vonuar të shkojë në vendngjarje. Më pas, kanë mbërritur edhe ekspertë të Njësisë Anti-eksploziv dhe nga Policia e Kukësit. Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për një sasi eksplozivi, ende e papërcaktuar saktësisht për peshën dhe llojin, e cila ka dëmtuar dyert e hyrjes në katin e pestë të banesave të Hasime Mulgecit dhe më pak të fqinjit të saj, Sadri Kërrnaja. Sipas Prokurorisë që ka nisur hetimet, dy familjet nuk kanë ndonjë zënkë apo hasmëri më përpara. Mulgeci, e zonja e shtëpisë, punon si shitëse në një dyqan, ndërkohë që asaj pak vite më parë i ka vdekur dhe bashkëshorti. Ndërsa Kërrnaja është punëtor në HEC-in e Fierzës dhe një njeri pa konflikte,  joproblematik. Vendi i vënies së lëndës plasëse është në mes të dy dyerve dhe fillimisht policia e ka pasur të vështirë të saktësojë se ndaj kujt adresohej ky atentat i rrezikshëm. Por, pas hetimeve që po zhvillohen në disa pista dhe faktit se pranë cilës banesë kishte më shumë dëme, dyshohet se lënda plasëse i është vendosur Mulgecit. Vetë e zonja e shtëpisë ka deklaruar se nuk dinte gjë se kush mund të kishte gisht në këtë punë apo motivet e mundshme. Sipas ekspertëve, mendohet se lënda plasëse është vendosur më shumë për të shkaktuar presion dhe terror, sesa për të vrarë njeri. Gjatë paradites së djeshme është shoqëruar dhe një person në moshë të re e është marrë në pyetje, por policia për efekt hetimi nuk bën të ditur identitetin e tij.                                                    j.h

© Panorama.al

Te lidhura