
TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet ndaj tri vajzave të arrestuara me rreth 9 kilogramë heroinë në Portin e Durrësit tri ditë më parë. Për shkak të veprës penale trafik ndërkombëtar i lëndës narkotike, mbetur në tentativë, dosja penale i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka nisur hetimet për këtë çështje. Grupi i hetimit mësohet se ka marrë në pyetje shtetaset Donika Dervishi, 29 vjeçe, emigrante në Milano, motrën e saj Migena Dervishin, 39 vjeçe dhe Sonila Popën, 31 vjeçe. Gjatë deklarimeve të tyre mësohet se të tri vajzat kanë mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzën, duke thënë se nuk dinin gjë për drogën e vendosur në makinën e tyre. Sipas këqyrjes së bërë automjetit, ka rezultuar se lënda narkotike ka qenë e montuar në pjesën e serbratorit të makinës, në krahun e gomës së pasme të djathtë. Për shkak të qëndrimit mohues që kanë mbajtur vajzat e arrestuara, grupi hetimor ka nisur verifikimet për makinën ku ishte fshehur droga, “Ford Focus”, me targa AA 465 DD. Po kështu mësohet se kompanive të telefonisë celulare u janë bërë kërkesa për zbardhjen e listave të telefonatave që kanë kryer vajzat para nisjes në drejtim të Italisë. Ato kanë qenë disi kontradiktore në shpjegimet e dhëna për udhëtimin në Itali, duke deklaruar një herë se po shkonin për të blerë rroba e më pas po shkonin për pushime. Hetimi i kësaj çështjeje ka nisur nga e para, për shkak se droga është zbuluar rastësisht nga një kontroll rutinë në Portin e Durrësit, ndërsa Policia e këtij qyteti nuk ka pasur asnjë informacion paraprak. Gjithçka është zbuluar mbi bazën e teknologjisë së kontrollit të vendosur në Port, kurse Policia e qytetit bregdetar nuk ka pasur të dhëna për vendin nga është nisur droga dhe as për destinacionin e saj. Pjesë e hetimit është edhe ndërhyrja që është bërë në makinë, duke montuar drogën në hapësirën e krijuar te serbratori. Dyshohet se kjo ndërhyrje është bërë në Shqipëri, të paktën nga një këqyrje që i është bërë mjetit. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se vajzat janë përdorur si korriere për transportimin e drogës, ndërsa pritet që tri të arrestuarat të dalin në para gjykatës për masën e sigurisë. tr.so











