Pavarësisht se skuadra e tij ka arritur të marrë një fitore në ndeshjen e parë që është luajtur në “Qemal Stafa” ndaj Grevenmakerit, trajneri Hulian Rubio do të luajë sërish me një sulmues. Një lëvizje e tillë vjen për arsye se tekniku do më tepër siguri në repartin e tërhequr, në mënyrë që bardheblutë të mos pësojnë gol të parët. Me dy gola në avantazh, kryeqytetasit janë në pozita shumë komode, por nëse do të pësonin gol, do të kishin vështirësi për të barazuar shifrat dhe mund t’i jepnin kundërshtarit hapësira në mbrojtje për t’i rrezikuar vërtet. Edhe pse luksemburgasit e Grevenmakerit në takimin e parë ndaj bardhebluve, që u zhvillua në kryeqytet, erdhën si një ekip mjaft modest dhe me lojtarë të rinj në përbërje, Rubio kërkon të tregohet i kujdesshëm dhe në asnjë moment të mos e vërë në dyshim kualifikimin. Edhe pas ndeshjes që u luajt në Tiranë, javën që shkoi, përsëri tekniku është shprehur se kualifikimi për në turin tjetër akoma nuk është vendosur. Ilion Lika është një siguri më shumë për portën e Tiranës, duke qenë se edhe në ndeshjen e fundit ka treguar një formë të mirë. Mbrojtja është reparti i vetëm ku tekniku spanjoll nuk do të ndryshojë asgjë. Kalari në të djathtë, Pisha me Pashajin në qendër dhe Ahmataj në të majtë kanë treguar qëndrueshmëri dhe do të vazhdojnë të jenë në pozicionet e tyre. Ndryshime do të ndodhin në mesfushë, ku me rikthimin e Karabecit situata ka ndryshuar. Kështu, para mbrojtjes Rubio do të luajë me dy shkatërrues, siç janë Muçollari dhe Karabeci. Ky i fundit e ka shlyer pezullimin, kësisoj është i gatshëm për të qenë në fushë. Në mesfushë pritet të rreshtohen Taku nga e majta, Ferraj në qendër dhe Gilman Lika në të djathtë, në mënyrë që të organizojnë sulmet dhe të jenë në ndihmë të Balës, i cili edhe në këtë ndeshje do të jetë i vetëm në repartin e avancuar. Rubio do të luajë me skemën 4-2-3-1, për ta siguruar kualifikimin pa shumë bujë, por me një lojë të qetë e të sigurt. Në rast se kalojnë këtë tur (ka shumë mundësi referuar edhe ndeshjes së parë), Tirana do të përballet me skuadrën norvegjeze, Alesund në turin e dytë të Ligës së Europës.
Trajneri: Tirana, vështirë të kalohet
Mark Tom, trajneri i Grevenmakerit, ka deklaruar se skuadra e tij duhet të kishte shënuar të paktën një gol në takimin e parë ndaj Tiranës, në mënyrë që t’i kishte gjërat më të lehta në sfidën e kthimit. Megjithatë, Tom e pranon se Grevenmakeri ka luajtur ndaj një skuadre profesioniste si Tirana, kështu që në ndeshjen e sotme u mbetet të shpresojnë deri në fund për të përmbysur rezultatin. “Vijmë pas një humbjeje në Tiranë dhe për ne do jetë mjaft e vështirë, por gjithsesi jo e pamundur. Ne do provojmë që të paktën të mos humbim sërish në ndeshjen e dytë”, ka thënë tekniku.
Stadiumi & bastet
Tirana do ta luajë ndeshjen e kthimit ndaj Grevenmakerit në “Stade Jos Nosbaun”, i cili ndodhet në pjesën jugore të Luksemburgut dhe ka një kapacitet prej 4 650 tifozësh. Edhe pse është një stadium modest, krahasuar me impiantin e “Qemal Stafës”, ku u luajt ndeshja e parë, ai ofron kushte moderne dhe në të luan skuadra e F91 Dudelange. Ndërkohë, Tirana vazhdon të jetë e favorizuar nga kompanitë e basteve për sa i përket ndeshjes së kthimit. Një fitore e mundshme e Tiranës është 2.10, ndërsa fitorja e Grevenmakerit kuotohet 3.10, barazimi në 3.20.











