Tregtia, Shqipëria e 78-a për logjistikën

May 21, 2012 | 12:42
Porti i Durrësit

Shqipëria ka arritur të renditet e 78-a sa i përket indeksit të performancës logjistike për tregtinë. Raporti i Bankës Botërore që mat këtë tregues ka bërë përllogaritjen për 155 vende të botës, duke pasur parasysh një sërë faktorësh. Infrastruktura, si rrugët, portet dhe aeroportet, apo edhe procedurat, siç mund të jenë kontrollet fizike apo të kombinuar mund, ta përmirësojnë treguesin e performancës ose ta përkeqësojnë atë. Por, cilët janë treguesit që i kanë dhënë vendit tonë vlerësimin si vendi i 78-të në botë për logjistikën tregtare?
Raporti
I publikuar pak ditë më parë, raporti “Ndërlidhja për të konkurruar- logjistika tregtare në ekonominë globale” jep detaje mbi indeksin e logjistikës tregtare. Ky raport mat aftësinë që ka një vend për të tregtuar globalisht, duke e lidhur këtë direkt me aksesin që kanë tregtarët e tij në rrjetet logjistike. Indeksi rendit 155 vende sipas performancës logjistike tregtare, duke i vlerësuar ato nga njëshi (keq) te 5-a (shumë mirë). Renditjet bazohen në 6 mijë intervista individuale nga 1 mijë transportues ndërkombëtarë të mallrave apo ngarkesave të ndryshme. Këta të fundit kanë renditur 8 vendet që kompania e tyre u shërben më shpesh. Në vetvete, indeksi për logjistikën tregtare përfshin gjashtë komponentë: eficiencën dhe procesin e dorëzimit(kalimin e kufirit, kontrollet fizike), cilësia e infrastrukturës tregtare,  konkurrueshmëria dhe cilësia e logjistikës, operatorët e transportit, aftësia për të ndjekur dorëzimet dhe frekuenca me të cilën mallrat arrijnë të dorëzohen në afat sipas kohës së paracaktuar.
Shqipëria
Vendi ynë paraqitet më mirë kur vjen fjala te komponenti i afateve, pasi vendi ku renditet Shqipëria për këtë tregues të indeksit është 45 nga 155 vende, ndërsa më keq paraqitet situata te komponenti i infrastrukturë, ku renditemi të 99-t. Sa i përket procedurave, sërish komponenti është më keq sesa vetë indeksi në tërësi, pasi renditemi të 86-t, për ndjekjen e dorëzimit Shqipëria është e 88-a, ndërsa për ngarkesat ndërkombëtare treguesi na rendit të 70-t mes gjithë vendeve të marra në vlerësim. Raporti i Bankës Botërore merr në vlerësim edhe koston e eksporteve dhe importeve. Për të parin distanca mesatare e aksesit të porteve, aeroporteve është 75 kilometra dhe duhen 11 ditë për të përfunduar një dorëzim  nga fillimi i procesit deri te përfundimi i tij. E gjithë kjo ka një kosto mesatare prej 750 dollarësh për njësi të llogaritur. Ndërsa sa u përket importeve, koha dhe kostoja ndryshojnë pasi dorëzimi bëhet në vetëm një javë, ndërsa kostoja është 1 mijë dollarë. Në përgjithësi, raporti ka dhënë një vlerësim pozitiv për logjistikën krahasimisht me vendet e tjera, por duket se pika ku Shqipëria duhet të bëjë më shumë kujdes është ajo që lidhet me infrastrukturën. Investimet më të mëdha të bëra në rrugë, sipas Bankës Botërore, duhet të ndiqen nga investime të tjera në porte dhe aeroporte, në mënyrë që infrastruktura tregtare të shënojë përmirësim duke i shërbyer pozitivisht edhe ekonomisë. Në raport Banka Botërore vlerëson se është pikërisht lehtësia e logjistikës tregtare ajo që jep efekt direkt edhe te shkëmbimet tregtare mes vendeve.

Inspektimet fizike
Raporti i Bankës Botërore vëren se procedurat që ndjekin një shkëmbim tregtar nga fillimi në fund kanë një efekt minimal tek afati i dorëzimit. Ajo që duhet të korrigjohet duket se është investimi në pajisje për ndjekjen e ngarkesës dhe infrastrukturë. Afati i dorëzimit të ngarkesës, si me inspektimin fizik që i bëhet asaj, si pa inspektimin fizik është vetëm një ditë për vendin tonë.

Kriteri cilësi
Vetëm 40 për qind e ngarkesave që kalojnë në rrugët tregtare të Shqipërisë përmbushin atë që Banka Botërore e quan kriteri i cilësisë. Kjo lidhet me atë pjesë të ngarkesave që nuk kalojnë pengesa në asnjë nga komponentët që indeksi i performancës logjistike merr në vlerësim. Pra, pothuajse më shumë se gjysma e ngarkesave hasin probleme apo “ngërçe” gjatë rrugës që mund të lidhet me procedurën, me infrastrukturën, me aftësinë për të ndjekur ngarkesën.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura