
TIRANE- Partia Socialiste përgënjeshtroi sot deklaratat e një ditë më parë të kreut të qeverisë, Sali Berisha, i cili deklaroi se tregtia ka shënuar rritje. Sekretari i programit ne PS, Ilir Beqja, nga selia rozë e cilësoi çmenduri dhe gënjeshtër të rradhës deklaratën e Berishës.
“Me biznes të vogël, të madh, tregtarë, me prodhues, me importues, me fermerë dhe njerëz që kanë investuar në bujqësi, të gjithë thonë që në Shqipëri ka rënie të fuqisë blerëse, taksa të larta dhe korrupsion. Ndërkohë dje The Economist, thoshte se problemi i Shqipërisë është Ekonomia. Dhe kjo, sipas The Economist, është arsyeja pse Berisha do t’i humb zgjedhjet, dhe pse opozita do t’i fitojë”- tha Beqja. Për të përgënjeshtruar deklaratat e Berishës, ai iu referua edhe të dhënave të fundit të INSTAT, i cili deklaroi rënie të tregtisë.
Të gjithë, vazhdoi Beqja, konfirmojnë dhe flasin se në Shqipëri shitjet kanë rënë rëndë, dhe këto janë provat që dje Saliu bëri gënjeshtrën e rradhës.











