Tregtia, Bozdo: Mbështesim reciprocitetin

Aug 13, 2011 | 11:19

Pas mbylljes së kufirit dhe vendosjen për mosnjohjen e vulave serbe nga doganat kosovare, e gjithë vëmendja e tregtarëve dhe biznesmenëve kosovarë është kthyer nga Shqipëria. Të dhënat flasin për një rritje galoponte në vetëm pak ditë, pas 25 korrikut, të tregtisë mes dy vendeve. Jo vetëm tregtia, por edhe politika ekonomike duket se po intensifikojnë kontaktet për të krijuar terrenin aq të domosdoshëm në këto momente për rritjen e shkëmbimeve tregtare. Për këtë arsye, dje zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, priti në Tiranë ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj. Sipas njoftimit, në takim u diskutuan tema me interes të përbashkët mes Shqipërisë e Kosovës, të lidhura këto me zhvillimin ekonomik të dy vendeve, me rritjen e marrëdhënieve tregtare, me rritjen e shkëmbimit të volumeve tregtare. Duke u ndalur tek aplikimi më i fundit i Kosovës, zv/ministri METE-s nënvizoi se qeveria e Shqipërisë mbështet dhe mirëkupton hapat e fundit të qeverisë së Kosovës për aplikimin e parimit të reciprocitetit, i cili është brenda të gjithë mekanizmave që marrëveshja tregtare CEFTA ka parashikuar. “Kjo është një çështje që i takon jo vetëm Shqipërisë e Kosovës, por bashkëpunimit ekonomiko-tregtar të të gjitha vendeve të rajonit.” Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës tha se synimi i këtij takimi ishte rritja e bashkëpunimit ekonomik mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. “Pas marrjes së vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për vënien e masave të reciprocitetit me Republikën e Serbisë, konform rregullave ndërkombëtare, tani është momenti që ekonomia e Kosovës të shohë për zëvendësimin e produkteve që kanë ardhur nga këto dy vende, për të cilat ne kemi vënë reciprocitet”. Ministri kosovar theksoi se ka ardhur koha të jepet më shumë hapësirë, më shumë përkrahje institucionale bizneseve të vendeve tona, në mënyrë që ky këmbim të mos mbetet thjesht tregtar, por të shfrytëzohet edhe për investime kapitale afatgjata.

Linja e interkonjeksionit

Temë me interes në takimin e djeshëm ishte edhe bashkëpunimi energjetik. “Linja 400 kv Tiranë-Prishtinë është duke bërë progres. Kjo linjë do të plotësojë më së miri unazën e energjisë brenda vendeve tona dhe shkon në përputhje të plotë me të gjithë strategjinë e komunitetit të energjisë, i cili synon të përmirësojë rrjetin e shpërndarjes, prodhimin e energjisë alternative dhe asaj të rinovueshme”, theksoi Bozdo. Kosova është duke planifikuar prodhimet alternative të energjisë elektrike në vitin 2020, një plan që kërkon bashkëpunim në nivel rajonal.

© Panorama.al

Te lidhura