
Kryeministri: Rritje 25%, Statistikat: Rënie me 1.2%
Shifrat e Institutit të Statistikave, të kundërta me deklaratat e Kryeministrit.
Për të marrë informacionin nëse ka pasur ulje apo rritje të tregtisë, varet shumë nga fakti se kujt doni t’i besoni. Vetëm dje lidhur me tregtinë me pakicë janë servirur dy shifra të ndryshme, që shfaqin dy aspekte krejt të ndryshme ekonomike; e para një ekonomi që lulëzon dhe e dyta një ekonomi të tkurrur. Qeveria dhe INSTAT nuk kanë qenë në harmoni me të dhënat e njëra-tjetrës.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së qeverisë ditën e djeshme, ka theksuar se ekonomia ka pasur një ecuri pozitive dhe argumentin e tij e bazoi te tregtia dhe eksportet. “Kryefjala e kësaj mbledhjeje do të jetë performanca ekonomike e vendit, e cila ka njohur një zhvillim qartësisht pozitiv. Unë kam kënaqësinë të informoj qytetarët shqiptarë se shitjet e përgjithshme në këtë vend, sipas deklaratave të atyre që shesin, njohin një rritje prej 25.6 për qind, krahasuar me vitin e kaluar”, u shpreh kreu i qeverisë. Ai vlerësoi se është pikërisht rritja e fuqisë blerëse ajo që demonstron një rritje të tregtisë dhe siguron ecuri pozitive ekonomike.
INSTAT
Po dje, Instituti i Statistikave publikoi indeksin e tregtisë me pakicë, ku bie në sy një situatë krejt e ndryshme nga ajo që paraqiti Kryeministri në mbledhjen e qeverisë. Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë të këtij viti indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë arriti 162.6 për qind dhe, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, kemi një ulje me 1.2 për qind, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është rritur 9.9 për qind. Në grupin ushqime-pije në njësi tregtare të specializuara, indeksi i volumit të shitjeve ka rënë me 0.6 për qind krahasuar me prill-qershor 2011. Ndërsa në grupin “Tregtia, mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave”, indeksi i volumit të shitjeve për tremujorin e dytë 2012 është rritur 10.6 për qind. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se indeksi i punësimit në anën tjetër në tregtinë me pakicë ka pësuar ulje krahasuar me një vit më parë, me plot 1.9 për qind.
© Panorama.alBanka e Shqipërisë
Në deklaratat e vazhdueshme që ka bërë guvernatori i Bankës së Shqipërisë në daljet pas mbledhjeve të Këshillit të Mbikëqyrjes, duket se mbështet versionin e INSTAT. Tregtia nuk po përjeton lulëzim ose të paktën jo rritjen dyshifrore që përmend qeveria. Prej kohësh, Banka vë theksin te rënia e konsumit të brendshëm, çka automatikisht të bën të mendosh se tregtia nuk mund të përjashtohet nga ndikimi negativ.











