Tre të vdekur, ekzekutohet në oborr familja

Aug 15, 2011 | 10:19
Foto ilustruese

MAT– Ngjarje tragjike në fshatin Frankth të komunës Komsi në rrethin e Matit. Mbrëmë rreth orës 21.00 kanë mbetur të vdekur tre persona dhe janë plagosur dy të tjerë, pjesëtarë të një familjeje.

Ngjarja e rëndë ka shokuar banorët e zonës, ndërkaq ka vënë në lëvizje menjëherë forcat e Komisariatit të Policisë Mat dhe ato të Prokurorisë së këtij rrethi. Burime të besueshme pohuan fillimisht për gazetën “Panorama” se prej disa ditësh familja Barçi dhe një familje tjetër në këtë fshat ishin në konflikt me njëra-tjetrën për çështje toke dhe uji vaditës. Ndërkaq më vonë policia lokale nisi hetimet dhe në një pistë tjetër, atë të hakmarrjes, pasi shumë vite më parë një banor i fshatit u gjet i vrarë në rrugët e fshatit dhe familja e tij akuzonte familjen e Shaqir Barçit si autore të krimit. Viktima të agresionit me armë janë pesë pjesëtarë të të njëjtës familje: Shaqir Barçi, bashkëshortja Hamide Barçi, 51 vjeçe dhe djali Ylber Barçi, 31 vjeç, ndërkohë të plagosur rëndë mbetën dy djem të tjerë po të kësaj familjeje: G. e H.Barçi, 18 dhe 16 vjeç.

Banorët e fshatit të alarmuar për krismat e armëve kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, pak minuta pasi krismat kishin pushuar. “Mbetëm të shtangur kur pamë tre pjesëtarët e të njëjtës familje të shtrirë afër shtëpisë së tyre dhe dy të tjerë që rënkonin. Shaqirin, gruan dhe djalin e tij nuk patëm asnjë mundësi t’i ndihmonim, por morëm masa të shpejta për të dërguar në spitalin e qytetit dy djemtë e plagosur. Tre pjesëtarët e familjes që kishin ndërruar jetë, në oborrin e shtëpisë i dërguan të afërmit në banesën e tyre. Vaji dhe kuja ngritën në këmbë gjithë fshatin. Kurrë nuk kishte ndodhur një ngjarje kaq makabër”, thanë banorë të fshatit Frankth, të cilët nuk kanë dëshirë të identifikohen, duke e konsideruar ngjarjen si mjaft tragjike dhe të padëgjuar në këto anë. Banorë të fshatit kanë njoftuar policinë lokale e cila shpejt është ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe është vënë në ndjekje të autorëve të krimit. Megithëse të pakët në numër, efektivat e Komisariatit të Burrelit kanë bllokuar rrugët hyrëse dhe dalëse të fshatit dhe kanë nisur krehjen e zonës, duke tentuar kapjen e autorëve dhe pastaj zbardhjen e motiveve të saj.

Në orët e vona të mbrëmjes policia lokale njoftoi se ka shoqëruar disa pjesëtarë të një familje në këtë fshat, por nuk ka bërë të ditur emrat, duke u justifikuar se kjo bëhet për shkaqe hetimi. Tre viktimat janë dërguar rreth mesnatës në morgun e spitalit lokal të Burrelit dhe i është nënshtruar ekzaminimeve të ekspertit ligjor dhe më pastaj janë transportuar për në fshatin Frankth, atje ku do të prehen përgjithmonë. Dy të rinjtë e plagosur rëndë, në rrezik serioz për jetën, janë transportuar drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. “Gjendja e tyre, – thanë mjekët e spitalit të Burrelit, është kritike dhe e pashpresë, – pasi ata kanë marrë plagë të rënda”.

© Panorama.al

Te lidhura